Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 6:13-22

2 i Samuelit 6:13-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pasi ata që mbartnin arkën e ZOTIT bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para ZOTIT. Ai kishte veshur një efod të linjtë. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e ZOTIT me brohoritje dhe me tingujt e bririt. Kur arka e ZOTIT mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para ZOTIT dhe e përçmoi në zemrën e vet. Arkën e ZOTIT e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para ZOTIT. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të ZOTIT të ushtrive dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet. Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». Davidi i tha Mikalës: «E bëra para ZOTIT që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e ZOTIT, Izraelin. Po, para ZOTIT do të lodroj! Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë».

2 i Samuelit 6:13-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, ai flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit, duke veshur një efod prej liri. Kështu Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit mbartën arkën e të Zotit me thirrje gëzimi dhe duke u rënë borive. Por ndodhi që, ndërsa arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikal, bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit dhe e përçmoi në zemrën e saj. Kështu, sollën arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj, në mesin e çadrës që Davidi kishte ngritur për të. Pastaj Davidi ofroi holokauste dhe flijime falënderimi përpara Zotit. Kur mbaroi së ofruari holokaustet dhe flijimet e falënderimit, Davidi bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive, dhe i shpërndau tërë popullit, gjithë turmës së Izraelit, burra dhe gra, secilit prej tyre nga një kulaç, nga një racion mishi dhe një sasi rrush të thatë. Ndërsa Davidi po kthehej për të bekuar familjen e tij, Mikal, bija e Saulit, i doli përpara Davidit dhe i tha: "Sa i nderuar ka qenë sot mbreti i Izraelit që u zbulua para syve të shërbëtoreve të Atëherë Davidi iu përgjigj Mikalit: "E bëra përpara Zotit që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të Zotit; prandaj bëra festë përpara Zotit. Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre".