Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 18

18
Shpartallimi i Absalomit
1Davidi rreshtoi popullin që ishte me të dhe caktoi mbi ta kryemijës e kryeqindës. 2Një të tretën e luftëtarëve i la nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abishait, birit të Cerujahut e të vëllait të Joabit, dhe një të tretën nën udhëheqjen e Ita Gititit. Mbreti u tha luftëtarëve: «Do të dal edhe unë me ju në luftë». 3Por luftëtarët i thanë: «Jo, mos dil, sepse po të na duhet t'ia mbathim, nuk do të na japin rëndësi. Edhe po të vritet gjysma prej nesh, nuk do të na japin rëndësi, ndërsa ti vlen sa dhjetë mijë prej nesh. Prandaj është më mirë të rrish në qytet e të na ndihmosh prej atje». 4Mbreti iu përgjigj: «Do të bëj si të jetë më mirë për ju». Kështu, mbreti qëndroi pranë portës së qytetit, ndërsa ushtria u nis e ndarë në njësi mijëshe dhe qindëshe. 5Mbreti i dha këtë urdhër Joabit, Abishait e Itait: «Për hatrin tim, mos i bëni keq djaloshit Absalom». Mbarë populli e dëgjoi urdhrin që mbreti u dha krerëve të ushtrisë për Absalomin.
6Ushtria doli në fushë për t'u ndeshur me Izraelin. Beteja u bë në pyllin e Efraimit. 7Aty luftëtarët e Davidit i mposhtën izraelitët. Atë ditë u bë kërdia dhe mbetën të vrarë njëzet mijë burra. 8Beteja u shtri në mbarë krahinën dhe atë ditë pylli gllabëroi më shumë njerëz sesa shpata.
9Absalomi hasi në luftëtarët e Davidit. Ai i kishte hipur një mushke. Kur mushka hyri nën degët e një lisi të madh, Absalomit i ngeci koka në lis dhe ai mbeti varur në ajër, ndërkohë që mushka ku kishte hipur iku. 10Dikush e pa, njoftoi Joabin e i tha: «Pashë Absalomin të varur në lis». 11Joabi i tha atij që e njoftoi: «Nëse e pe, pse nuk e hodhe përtokë? Do të të jepja dhjetë monedha argjendi dhe një brez». 12Ai burrë i tha Joabit: «Edhe po të më jepje një mijë monedha në dorë, nuk do të vija dorë mbi birin e mbretit, sepse e dëgjuam me veshët tanë kur mbreti të urdhëroi ty, Abishain dhe Itain, që ta mbronit djaloshin Absalom. 13Po t'ia kisha marrë jetën pabesisht, mbreti do ta merrte vesh, si përherë, dhe as ti nuk do të më mbroje». 14Joabi i tha: «Po humb kohë kot me ty». Mori tri shtiza në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit, që ishte ende gjallë, në degët e lisit. 15Absalomin e rrethuan edhe dhjetë djelmoshat, që i mbanin armët Joabit, e goditën dhe e vranë.
16Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria e ndali sulmin ndaj Izraelit, sepse i përmbajti Joabi. 17Pastaj ata e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe e mbuluan me një pirg të madh gurësh. Mbarë Izraeli mori arratinë dhe të gjithë u shpërndanë nëpër tenda. 18Kur kishte qenë gjallë, Absalomi i kishte ngritur vetes një përmendore në luginën e Mbretit, duke thënë: «Nuk kam djalë që të mbajë në jetë kujtimin e emrit tim». Përmendores i vuri emrin e vet dhe ajo quhet deri sot «Përmendorja e Absalomit».
19Ahimaci, biri i Cadokut, tha: «Po shkoj me vrap t'i jap mbretit lajmin se Zoti i bëri drejtësi dhe e çliroi prej armiqve». 20Joabi i tha: «Mos ia ço lajmin sot, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajm të mirë, se mbeti i vdekur biri i mbretit». 21Pastaj Joabi i tha një kushiti: «Shko e tregoji mbretit ç'ke parë!». Kushiti u përkul para Joabit dhe u nis me vrap. 22Ahimaci, biri i Cadokut, i tha përsëri Joabit: «Çfarëdo që të ndodhë, më lejo të shkoj edhe unë me vrap pas kushitit!». Joabi i tha: «Përse të vraposh, biri im? Nuk do të marrësh asnjë shpërblim për lajmin». 23Ai iu përgjigj: «Të ndodhë ç'të ndodhë, dua të shkoj». Ahimaci vrapoi udhës fushore dhe ia kaloi kushitit.
24Ndërkohë Davidi ishte ulur midis dy portave. Një vrojtues, që ishte ngjitur mbi çatinë e portës pranë mureve, ngriti sytë dhe pa një burrë që vraponte vetëm. 25Vrojtuesi bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti i tha: «Nëse është vetëm, sjell lajme». 26Vrojtuesi pa edhe një burrë tjetër që vraponte dhe i bërtiti portarit e i tha: «Shoh një burrë që po vrapon vetëm!». Mbreti tha: «Edhe ai sjell lajme». 27Atëherë vrojtuesi tha: «Vrapi i të parit më duket si vrapi i Ahimacit, birit të Cadokut». Mbreti i tha: «Është njeri i mirë dhe sjell lajme të mira».
28Ahimaci i thirri mbretit e i tha: «Paqe!». Pastaj u përkul me fytyrë përtokë e tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të dorëzoi ata që u ngritën kundër timzoti, mbretit!». 29Mbreti e pyeti: «A është mirë djaloshi Absalom?». Ahimaci iu përgjigj: «Kur më dërgoi Joabi, shërbëtori i mbretit, pashë se kishte një trazirë të madhe, por shërbëtori yt nuk di gjë». 30Mbreti i tha: «Hiqu mënjanë dhe rri aty». Ahimaci u hoq mënjanë dhe ndenji.
31Pastaj erdhi kushiti e tha: «Sjell lajm për timzot, mbretin. Zoti të ka dorëzuar sot ata që t'u ngritën kundër». 32Mbreti e pyeti kushitin: «A është mirë djaloshi Absalom?». Kushiti iu përgjigj: «Të gjithë armiqtë e timzot, mbretit, dhe të gjithë ata që ngrihen për t'i bërë keq mbretit i gjettë çfarë gjeti djaloshin».

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 18: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr