Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 12:1-25

2 Samuelit 12:1-25 AL1

ZOTI dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. I pasuri kishte shumë dhen e qe, ndërsa i varfri s'kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin». Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha ZOTIN, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin». Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. Pse e përçmove fjalën e ZOTIT dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. Kështu thotë ZOTI: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t'i marr gratë para syve, do t'ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër ZOTIT». Natani i tha Davidit: «ZOTI ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e ZOTIT, djali që ka për të lindur do të vdesë». Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. ZOTI e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur. Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t'i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!». Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e ZOTIT dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t'i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta ZOTI do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë». Davidi e ngushëlloi Batshebën, gruan e vet. Fjeti me të dhe ajo i lindi një djalë që e quajti Solomon. ZOTI e deshi dhe dërgoi fjalë përmes profetit Natan, që ta quanin Jedidjah, për hir të ZOTIT.

Devocione dhe Plane Leximi falas për 2 Samuelit 12:1-25

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë