Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 12:1-25

2 i Samuelit 12:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. I pasuri kishte shumë dhen e qe, ndërsa i varfri s'kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin». Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha ZOTIN, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin». Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. Pse e përçmove fjalën e ZOTIT dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. Kështu thotë ZOTI: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t'i marr gratë para syve, do t'ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër ZOTIT». Natani i tha Davidit: «ZOTI ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e ZOTIT, djali që ka për të lindur do të vdesë». Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. ZOTI e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur. Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t'i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!». Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e ZOTIT dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t'i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta ZOTI do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë». Davidi e ngushëlloi Batshebën, gruan e vet. Fjeti me të dhe ajo i lindi një djalë që e quajti Solomon. ZOTI e deshi dhe dërgoi fjalë përmes profetit Natan, që ta quanin Jedidjah, për hir të ZOTIT.

2 i Samuelit 12:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër. I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë; por i varfri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij. Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t'i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur" Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë! Ai do ta paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë". Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit. Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera. Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit. Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e hiteut Uriah si bashkëshorten tënde". Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t'i marrë gratë e tua para syve të tu për t'ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën. Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit". Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë". Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur. Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë. Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta. Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thoshin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t'i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t'i shkaktojë ndonjë të keqe". Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur". Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t'i sillnin ushqim dhe hëngri. Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç'bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre". Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëroja dhe qaja, sepse thosha: "Kushedi Zotit mund t'i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!". Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Salomon; dhe Zoti e deshi. Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë