Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 6:8-23

2 Mbretërve 6:8-23 AL1

Mbreti i Aramit i shpalli luftë Izraelit. Ai u këshillua me shërbëtorët e tij dhe vendosi: «Ushtria ime do të fushojë në atë vend». Njeriu i Perëndisë i dërgoi lajm mbretit të Izraelit e i tha: «Bëj kujdes se mos kalon nëpër atë vend, sepse atje kanë zënë pritë luftëtarët e Aramit». Atëherë mbreti i Izraelit dërgoi luftëtarë te vendi që i tregoi njeriu i Perëndisë. Kjo u përsërit më shumë se dy herë. Eliseu e paralajmëronte mbretin dhe mbreti bënte kujdes për t'u mbrojtur. Shumë i tronditur në zemër nga kjo ngjarje, mbreti i Aramit thirri shërbëtorët e tij e u tha: «A mund të më thoni kush nga ju mban anën e mbretit të Izraelit?». Një nga shërbëtorët iu përgjigj: «Askush, imzot mbret, por profeti Elise që është në Izrael ia tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti thua në dhomën e gjumit». Mbreti tha: «Shkoni e shihni ku gjendet, që të dërgoj njerëz për ta kapur». E lajmëruan e i thanë se Eliseu gjendej në Dotan. Atëherë mbreti i Aramit dërgoi kalorës, karroca lufte dhe shumë luftëtarë, që mbërritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen, shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit herët dhe, kur doli jashtë, pa një ushtri me kuaj e karroca lufte, që kishte rrethuar qytetin. Shërbëtori i tha Eliseut: «Ah, imzot, çfarë do të bëjmë?». Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». Pastaj Eliseu u lut e tha: «O ZOT, të lutem, hapi sytë e shërbëtorit tim, që të shikojë!». Atëherë ZOTI ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut dhe, ja, përreth Eliseut pa malin të mbushur me kuaj e me karroca të zjarrta. Kur armiqtë u hodhën në sulm kundër Eliseut, ai iu lut ZOTIT e tha: «Të lutem, verboi të gjithë këta njerëz!». Atëherë Zoti i verboi, që të mos shihnin më, sipas kërkesës së Eliseut. Atëherë Eliseu u tha: «Nuk është kjo udha e as ky qyteti. Ejani pas meje e do t'ju shpie te njeriu që kërkoni». Kështu, Eliseu i çoi në Samari. Kur mbërritën në Samari, Eliseu tha: «O ZOT, hapua sytë këtyre njerëzve, që të shohin». Atëherë ZOTI ua hapi sytë e ja, ata ndodheshin në mes të Samarisë. Mbreti i Izraelit, sapo i pa, i tha Eliseut: «A t'i vras, ati im? A t'i vras?». Eliseu iu përgjigj: «Mos i vrit! A vriten me shpatë ata që zihen robër? Vëru përpara bukë e ujë, që të hanë e të pinë, e pastaj nisi te zotëria i tyre». Atëherë mbreti shtroi një darkë të madhe për ta e ata hëngrën e pinë. Pastaj mbreti i nisi e ata u kthyen te zotëria i tyre. Çetat e Aramit nuk erdhën më për të plaçkitur tokat e Izraelit.

Devocione dhe Plane Leximi falas për 2 Mbretërve 6:8-23

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë