Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 6:8-23

2 i Mbretërve 6:8-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Mbreti i Aramit i shpalli luftë Izraelit. Ai u këshillua me shërbëtorët e tij dhe vendosi: «Ushtria ime do të fushojë në atë vend». Njeriu i Perëndisë i dërgoi lajm mbretit të Izraelit e i tha: «Bëj kujdes se mos kalon nëpër atë vend, sepse atje kanë zënë pritë luftëtarët e Aramit». Atëherë mbreti i Izraelit dërgoi luftëtarë te vendi që i tregoi njeriu i Perëndisë. Kjo u përsërit më shumë se dy herë. Eliseu e paralajmëronte mbretin dhe mbreti bënte kujdes për t'u mbrojtur. Shumë i tronditur në zemër nga kjo ngjarje, mbreti i Aramit thirri shërbëtorët e tij e u tha: «A mund të më thoni kush nga ju mban anën e mbretit të Izraelit?». Një nga shërbëtorët iu përgjigj: «Askush, imzot mbret, por profeti Elise që është në Izrael ia tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti thua në dhomën e gjumit». Mbreti tha: «Shkoni e shihni ku gjendet, që të dërgoj njerëz për ta kapur». E lajmëruan e i thanë se Eliseu gjendej në Dotan. Atëherë mbreti i Aramit dërgoi kalorës, karroca lufte dhe shumë luftëtarë, që mbërritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen, shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit herët dhe, kur doli jashtë, pa një ushtri me kuaj e karroca lufte, që kishte rrethuar qytetin. Shërbëtori i tha Eliseut: «Ah, imzot, çfarë do të bëjmë?». Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». Pastaj Eliseu u lut e tha: «O ZOT, të lutem, hapi sytë e shërbëtorit tim, që të shikojë!». Atëherë ZOTI ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut dhe, ja, përreth Eliseut pa malin të mbushur me kuaj e me karroca të zjarrta. Kur armiqtë u hodhën në sulm kundër Eliseut, ai iu lut ZOTIT e tha: «Të lutem, verboi të gjithë këta njerëz!». Atëherë Zoti i verboi, që të mos shihnin më, sipas kërkesës së Eliseut. Atëherë Eliseu u tha: «Nuk është kjo udha e as ky qyteti. Ejani pas meje e do t'ju shpie te njeriu që kërkoni». Kështu, Eliseu i çoi në Samari. Kur mbërritën në Samari, Eliseu tha: «O ZOT, hapua sytë këtyre njerëzve, që të shohin». Atëherë ZOTI ua hapi sytë e ja, ata ndodheshin në mes të Samarisë. Mbreti i Izraelit, sapo i pa, i tha Eliseut: «A t'i vras, ati im? A t'i vras?». Eliseu iu përgjigj: «Mos i vrit! A vriten me shpatë ata që zihen robër? Vëru përpara bukë e ujë, që të hanë e të pinë, e pastaj nisi te zotëria i tyre». Atëherë mbreti shtroi një darkë të madhe për ta e ata hëngrën e pinë. Pastaj mbreti i nisi e ata u kthyen te zotëria i tyre. Çetat e Aramit nuk erdhën më për të plaçkitur tokat e Izraelit.

2 i Mbretërve 6:8-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa mbreti i Sirisë ishte në luftë kundër Izraelit, duke u këshilluar me shërbëtorët e tij, ai tha: "Kampi im do të jetë në filan vend". Atëherë njeriu i Perëndisë dërgoi t'i thotë mbretit të Izraelit: "Mos trego pakujdesi për filan vend, sepse aty po zbresin sirët". Prandaj mbreti i Izraelit dërgoi njerëz në vendin që njeriu i Perëndisë i kishte treguar dhe e kishte paralajmëruar të tregohej i kujdesshëm. Kështu ai u tregua vigjilent ndaj këtij vendi dhe kjo ndodhi jo vetëm një a dy herë. Shumë i tronditur në zemër të tij për këtë gjë, mbreti i Sirisë mblodhi shërbëtorët e tij dhe u tha: "A dini të më thoni se kush nga tanët mban anën e mbretit të Izraelit?". Një nga shërbëtorët e tij u përgjigj: "Asnjeri, o mbret, imzot, por Eliseu, profeti që ndodhet në Izrael, i bën të njohur mbretit të Izraelit bile edhe fjalët që ti thua në dhomën e gjumit". Atëherë mbreti tha: "Shkoni të shihni se ku është, që të mund të dërgoj njerëz për ta marrë". I bënë këtë njoftim: "Ja, ndodhet në Dothan". Kështu mbreti dërgoi aty kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe; këta arritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: "Oh, ç'do të bëjmë, imzot?". Ai u përgjigj: "Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta". Pastaj Eliseu u lut dhe tha: "O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë". Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut. Ndërsa sirët po zbrisnin në drejtim të Eliseut, ky iu lut Zotit dhe i tha: "Të lutem, goditi këta njerëz me verbëri". Dhe ai i verboi sipas fjalës së Eliseut. Atëherë Eliseu u tha atyre: "Nuk është kjo rruga dhe nuk është ky qyteti; ejani pas meje dhe unë do t'ju çoj te njeriu që kërkoni". I çoi pastaj në Samari. Kur arritën në Samari, Eliseu tha: "O Zot, hapua sytë që të shohin". Zoti ua hapi sytë dhe ata panë; ja, ndodheshin brenda në Samari. Kur mbreti i Izraelit i pa, i tha Eliseut: "O ati im, duhet t'i vras? A duhet t'i vras? Ai u përgjigj: "Mos i vrit! A do të vrisje, vallë ata që ke zënë robër me shpatën dhe me harkun tënd? Vëru përpara bukë dhe ujë, që të hanë dhe të pinë dhe pastaj të kthehen te zotit të tyre". Atëherë ai përgatiti për ta një banket të madh. Pasi hëngrën dhe pinë, u nda me ta dhe ata u kthyen përsëri te zotit të tyre. Kështu bandat e sirëve nuk erdhën më të bëjnë sulme në territorin e Izraelit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë