Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 6:24-33

2 Mbretërve 6:24-33 AL1

Pas këtyre ngjarjeve, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi gjithë ushtrinë e tij dhe shkoi e rrethoi Samarinë. Për shkak të rrethimit, Samarinë e pllakosi një zi buke aq e madhe, saqë një kokë gomari kushtonte tetëdhjetë sikla argjendi dhe gjysmë kilogram glasë pëllumbash pesë sikla argjendi. Një ditë, kur mbreti i Izraelit po kalonte nëpër muret e qytetit, një grua i thirri: «Ndihmë, o imzot, mbret!». Mbreti iu përgjigj: «Po nuk të shpëtoi ZOTI, si do të të shpëtoj unë? Me grurë nga lëmi apo me verë nga torku?». Pastaj e pyeti: «Çfarë të ka ndodhur?». Ajo iu përgjigj: «Kjo grua më tha: “Sille djalin tënd që ta hamë sot, ndërsa nesër hamë djalin tim”. Kështu, e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm, por kur i kërkova të nesërmen të sillte djalin e saj për ta ngrënë, ajo e kishte fshehur». Kur dëgjoi fjalët e gruas, mbreti shqeu rrobat. Teksa ecte mbi muret e qytetit, populli pa se kishte veshur një grathore drejt e në mish. Atëherë mbreti tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, po nuk ia preva sot kokën Eliseut, birit të Shafatit». Ndërkohë Eliseu po rrinte në shtëpi dhe me të ishte ulur edhe pleqësia. Mbreti i dërgoi një lajmëtar para se të shkonte vetë. Pa arritur lajmëtari, Eliseu i tha pleqësisë: «Ja, biri i vrasësit ka dërguar njerëz të më presin kokën. Bëni kujdes! Kur të mbërrijë lajmëtari, mbylleni derën e mos e lini të hyjë. Ja tek dëgjohen prapa hapat e zotërisë së tij». Eliseu po fliste ende me pleqësinë, kur ia behu mbreti që i tha: «E gjithë kjo fatkeqësi vjen prej ZOTIT! Çfarë të pres më nga ZOTI?».

Devocione dhe Plane Leximi falas për 2 Mbretërve 6:24-33