Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 6:24-33

2 i Mbretërve 6:24-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre ngjarjeve, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi gjithë ushtrinë e tij dhe shkoi e rrethoi Samarinë. Për shkak të rrethimit, Samarinë e pllakosi një zi buke aq e madhe, saqë një kokë gomari kushtonte tetëdhjetë sikla argjendi dhe gjysmë kilogram glasë pëllumbash pesë sikla argjendi. Një ditë, kur mbreti i Izraelit po kalonte nëpër muret e qytetit, një grua i thirri: «Ndihmë, o imzot, mbret!». Mbreti iu përgjigj: «Po nuk të shpëtoi ZOTI, si do të të shpëtoj unë? Me grurë nga lëmi apo me verë nga torku?». Pastaj e pyeti: «Çfarë të ka ndodhur?». Ajo iu përgjigj: «Kjo grua më tha: “Sille djalin tënd që ta hamë sot, ndërsa nesër hamë djalin tim”. Kështu, e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm, por kur i kërkova të nesërmen të sillte djalin e saj për ta ngrënë, ajo e kishte fshehur». Kur dëgjoi fjalët e gruas, mbreti shqeu rrobat. Teksa ecte mbi muret e qytetit, populli pa se kishte veshur një grathore drejt e në mish. Atëherë mbreti tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, po nuk ia preva sot kokën Eliseut, birit të Shafatit». Ndërkohë Eliseu po rrinte në shtëpi dhe me të ishte ulur edhe pleqësia. Mbreti i dërgoi një lajmëtar para se të shkonte vetë. Pa arritur lajmëtari, Eliseu i tha pleqësisë: «Ja, biri i vrasësit ka dërguar njerëz të më presin kokën. Bëni kujdes! Kur të mbërrijë lajmëtari, mbylleni derën e mos e lini të hyjë. Ja tek dëgjohen prapa hapat e zotërisë së tij». Eliseu po fliste ende me pleqësinë, kur ia behu mbreti që i tha: «E gjithë kjo fatkeqësi vjen prej ZOTIT! Çfarë të pres më nga ZOTI?».

2 i Mbretërve 6:24-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Ben Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij dhe u nis kundër Samarisë për ta rrethuar. Në Samari ra një zi e madhe; rrethimi i sirëve qe aq i fortë sa një kokë gomari shitej tetëdhjetë sikla argjendi dhe një çerek kabi glasash pëllumbi pesë sikla argjendi. Kur mbreti i Izraelit po kalonte mbi muret, një grua i bërtiti dhe i tha: "Ndihmë, o mbret, o imzot!". Ai iu përgjigj: "Në rast se nuk të ndihmon Zoti, ku mund ta gjej unë ndihmën për ty? Mos vallë me prodhimet e lëmit dhe të trokullës?". Pastaj mbreti shtoi: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Kjo grua më tha: "Më jep djalin tënd që ta hamë sot; djalin tim do ta hamë nesër". Kështu e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm. Të nesërmen i thashë: "Më jep djalin tënd që ta hamë". Por ajo e fshehu djalin e saj". Kur mbreti dëgjoi këto fjalë të gruas, grisi rrobat e tij. Ndërsa kalonte mbi muret, populli shikoi, dhe ja, ai kishte një grathore mbi lëkurë. Atëherë mbreti tha: "Perëndia të më bëjë këtë dhe më keq, në qoftë se sot koka e Eliseut, birit të Shafatit, ka për të mbetur akoma mbi supet e tij!". Eliseu po rrinte ulur në shtëpinë e tij dhe me të ishin ulur pleqtë. Mbreti dërgoi para tij një njeri; por para se lajmëtari të arrinte tek ai, ai u tha pleqve: "A e shikoni se ky bir vrasësi ka dërguar një person për të më prerë kokën? Kini kujdes, kur të arrijë lajmëtari, mbyllni portën dhe bllokojeni te porta. A nuk dëgjohet prapa tij vallë, zhurma e hapave të zotit të tij?". Ndërsa ai vazhdonte të fliste akoma me ta, ja ku zbriti tek ai lajmëtari. Atëherë mbreti tha: "Ja, kjo fatkeqësi vjen nga Zoti; çfarë mund të shpresoj akoma unë nga Zoti?".