Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 19

19
Isaia i jep zemër Ezekisë
1Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe shkoi në tempullin e Zotit. 2Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. 3Ata i thanë Isaisë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, sepse jemi bërë si foshnjat që janë gati për të dalë nga barku i një nëne, e cila nuk ka fuqi t'i lindë. 4Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për pjesën e mbetur të popullit”». 5Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, 6ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. 7Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e ai do të kthehet në vendin e tij sapo të marrë vesh një lajm. Atje do ta bëj të vdesë nga shpata”».
Tjetër kërcënim i Sankeribit
8Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. 9Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: 10«Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. 11Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve dhe sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? 12A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. 13Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës dhe Avahut?».
Lutja e Ezekisë
14Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit. 15Mandej iu lut Zotit e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin dhe tokën. 16Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. 17Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar kombet dhe vendet e tyre. 18Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. 19E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut, se ti, o Zot, je i vetmi Perëndi».
Përgjigja e Zotit përmes Isaisë
20Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: e dëgjova lutjen që më bëre për Sankeribin, mbretin e Asirisë. 21Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij:
Të përbuz, të përqesh
virgjëresha, bija e Sionit!
Prapa teje kokën tund
bija e Jerusalemit.
22Me kë je tallur, kë ke fyer?
Kundër kujt zërin e ke ngritur
dhe e ke parë tërë mburrje?
Kundër të shenjtit të Izraelit!
23Përmes lajmëtarëve të tu
ti ke fyer Zotin
e me vete ke thënë:
“Me karrocat e mia të shumta
majë maleve u ngjita,
lartësive më të thella të Libanit.
Më të lartët cedra ia preva
dhe pyjet më të bukur.
Mbërrita në skutat e tij më të larta,
në pyjet e tij më të dendura.
24Gërmova puse e ujë të huaj piva,
me shputat e këmbëve të mia
mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”.
25Por, a nuk ke dëgjuar vallë?
Prej kohësh të lashta këtë e caktova,
nga ditët e hershme e përftova,
e tash po e zbatoj.
Ty të caktova të sjellësh rrënim
e qytetet e fortifikuara
në pirgje gërmadhash t'i kthesh.
26Banorët e tyre u tmerruan,
duart iu mpinë e u drodhën.
U bënë si bari i fushës
e si bari i lëndinave,
si bari i pullazeve
që thahet pa mbirë mirë.
27Unë e di mirë kur rri,
kur hyn e kur del.
Di edhe tërbimin
që kundër meje ke.
28Je ndezur kundër meje
e krenaria jote në vesh më erdhi,
prandaj në hundë unazën do të ta vë
e në gojë frerin e hekurt,
që pas të të kthej
udhës nga ke ardhur.
29Ndërsa për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre. 30Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë dhe degët do t'u mbushen plot fryte. 31Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit.
32Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij. 33Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti! 34Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim».
Humbja dhe vdekja e Sankeribit
35Atë natë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish. 36Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë. 37E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku dhe Sareceri, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Mbretërve 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë