Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 19:1-19

2 Mbretërve 19:1-19 AL1

Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe shkoi në tempullin e ZOTIT. Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. Ata i thanë Isaisë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, sepse jemi bërë si foshnjat që janë gati për të dalë nga barku i një nëne, e cila nuk ka fuqi t'i lindë. Ndoshta ZOTI, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë ZOTI, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për pjesën e mbetur të popullit”». Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë ZOTI: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e ai do të kthehet në vendin e tij sapo të marrë vesh një lajm. Atje do ta bëj të vdesë nga shpata”». Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: «Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve dhe sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës dhe Avahut?». Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe pasi e lexoi, shkoi në tempullin e ZOTIT dhe e hapi rrotullën para ZOTIT. Mandej iu lut ZOTIT e tha: «O ZOT, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin dhe tokën. Ule veshin, o ZOT, e dëgjo! Hapi sytë, o ZOT, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. Është e vërtetë, o ZOT, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar kombet dhe vendet e tyre. Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. E tani, o ZOT, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut, se ti, o ZOT, je i vetmi Perëndi».