Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 13:10-21

2 Mbretërve 13:10-21 AL1

Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. Joashi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit. Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të ZOTIT! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë». Eliseu vdiq dhe e varrosën. Çdo fillim viti vinin kusarë nga Moabi për të plaçkitur. Një ditë, disa po varrosnin një të vdekur, kur ia behën kusarët. Atëherë ata e hodhën kufomën në varrin e Eliseut dhe ikën. Kur i vdekuri preku eshtrat e Eliseut, u ngjall dhe u ngrit më këmbë.