Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 13:10-21

2 i Mbretërve 13:10-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. Joashi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit. Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të ZOTIT! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë». Eliseu vdiq dhe e varrosën. Çdo fillim viti vinin kusarë nga Moabi për të plaçkitur. Një ditë, disa po varrosnin një të vdekur, kur ia behën kusarët. Atëherë ata e hodhën kufomën në varrin e Eliseut dhe ikën. Kur i vdekuri preku eshtrat e Eliseut, u ngjall dhe u ngrit më këmbë.

2 i Mbretërve 13:10-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë. Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!". Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta", ai mori një hark dhe disa shigjeta. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit. Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: "Gjuaj!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër sirëve, sepse ti do t'i mundësh sirët në Afek derisa t'i shfarosësh". Pastaj tha: "Merri shigjetat!", dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t'i kishe mundur sirët derisa t'i zhdukje fare; tani përkundrazi do t'i mundësh sirët vetëm tri herë". Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda moabitësh pushtuan vendin. Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.