Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Korintasve 7

7
1Fort të dashur, meqë kemi marrë këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë duke iu druajtur Perëndisë.
Gëzimi për pendimin e kishës
2Bëni vend për ne në zemrat tuaja. Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi dëmtuar askënd dhe nuk kemi shfrytëzuar askënd. 3Këtë gjë nuk e them për t'ju dënuar, sepse, siç ju kam thënë edhe më parë, ju jeni në zemrat tona dhe ne jemi të bashkuar me ju si në vdekje, edhe në jetë. 4Unë flas hapur me ju dhe krenohem shumë me ju. Megjithëse kam shumë mundime, gjej shumë ngushëllim e mbushem plot me gëzim.
5Edhe kur shkuam në Maqedoni, nuk na gjeti trupi prehje, hasëm vështirësi nga të gjitha anët, luftë jashtë e frikë përbrenda. 6Por Perëndia që i ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, 7dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që kishte marrë prej jush. Ai na tregoi për mallin, për lotët dhe për dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, prandaj u gëzova edhe më shumë.
8Edhe nëse ju kam trishtuar me letrën time, tani nuk më vjen keq. Megjithëse në fillim më erdhi keq, sepse ajo letër ju trishtoi për ca kohë, 9tani gëzohem jo se u trishtuat, por sepse ky trishtim, që e kaluat sipas vullnetit të Perëndisë, ju çoi në pendim. Kështu, ne nuk ju bëmë asnjë dëm. 10Trishtimi që kalojmë sipas vullnetit të Perëndisë të çon në pendimin që sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje. Përkundrazi, trishtimi që vjen nga shqetësimet e kësaj bote, të çon në vdekje.
11Shikoni çfarë përkushtimi solli te ju trishtimi sipas vullnetit të Perëndisë! Ju solli dëshirën për të mbrojtur besimin tuaj, zemërimin ndaj së keqes, druajtjen, përmallimin, zellin dhe gatishmërinë për të ndëshkuar të keqen! E keni dëshmuar në të gjitha mënyrat se jeni të pastër në këto gjëra. 12Edhe pse ju shkrova, nuk ju shkrova që të ndëshkoj atë që bëri padrejtësi e as për t'i dalë në mbrojtje atij që iu bë padrejtësi, por që të duket qartë mes jush përkushtimi që keni ndaj nesh, para Perëndisë. 13Kjo gjë na ngushëllon.
Përveç ngushëllimit që na dhatë, u gëzuam edhe më shumë me gëzimin e Titit, sepse të gjithë ju ia qetësuat shpirtin. 14Unë u krenova me ju para Titit dhe nuk kam mbetur i zhgënjyer për këtë, por, ashtu siç është e vërtetë gjithçka që ju kemi thënë, ashtu doli e vërtetë para Titit edhe krenaria që kemi për ju. 15Atij i bëhet zemra mal kur i kujtohet bindja e ju të gjithëve dhe kur i kujtohet sesi e pritët me druajtje e drithërim. 16Jam i gëzuar, se mund të mbështetem te ju për gjithçka.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Korintasve 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë