Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 8

8
Veprat e tjera të Solomonit
1Solomonit iu deshën njëzet vjet për të ndërtuar tempullin e Zotit dhe pallatin e vet mbretëror. 2Ai rindërtoi edhe qytetet që i kishte dhënë Hirami dhe në to vuri të banojnë izraelitë.
3Më pas Solomoni sulmoi Hamat Cobahun dhe e pushtoi. 4Ai ndërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet, ku grumbulloheshin tëmotjet, në krahinën e Hamatit. 5Solomoni rindërtoi Bet Horonin e sipërm dhe Bet Horonin e poshtëm dhe i bëri qytete të fortifikuara, të rrethuara me mure, me porta e me shula. 6Ai rindërtoi edhe Baalatin si edhe të gjitha qytetet, ku grumbullonte tëmotjet, të gjitha qytetet për qerret e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. 7Të gjithë ata që kishin mbetur prej hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, 8si dhe paraardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë që t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar si edhe sot e kësaj dite. 9Solomoni nuk bëri skllevër pune asnjë nga izraelitët, por i caktoi luftëtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të qerreve dhe të kalorësisë së tij. 10Krerët e atyre që mbikëqyrnin punët e Solomonit ishin dyqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për popullin.
11Solomoni e largoi bijën e faraonit nga qyteti i Davidit dhe e çoi për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, sepse tha: «Gruaja ime nuk do të banojë në pallatin mbretëror të Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendi ku ka ardhur arka e Zotit është i shenjtë».
12Atëherë Solomoni i kushtoi fli shkrumbimi Zotit mbi altarin e Zotit që kishte ndërtuar para portikut. 13Solomoni kushtonte flijime ditën e shtunë, kur kishte hënë të re dhe për tri të kremtet e mëdha të vitit, pra, të kremten e të ndormëve, të kremten e javëve dhe të kremten e kasolleve, sipas rregullave që kishte caktuar Moisiu për çdo ditë të caktuar. 14Sipas vendimeve të Davidit, atit të tij, Solomoni i ndau priftërinjtë në rangje sipas shërbesës që kryenin. Të njëjtën gjë bëri edhe me levitët, të cilët këndonin himne dhe shërbenin pranë priftërinjve për çdo ditë të caktuar. Në fund ndau edhe portarët e tempullit në rangje sipas portave, siç kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë. 15Nuk iu shmangën aspak rregullave të caktuara nga mbreti për priftërinjtë e për levitët dhe as për mbajtjen e thesarit.
16Kështu u zbatuan të gjitha planet e Solomonit, që nga dita e hedhjes së themeleve të tempullit të Zotit e deri në ditën e përfundimit të tij.
17Solomoni shkoi në Ecjon Geber dhe në Ejlat, që ndodhen në brigjet e detit, në tokën e Edomit. 18Hirami i dërgoi Solomonit disa nga shërbëtorët e tij detarë që e njihnin mirë detin. Ata shkuan bashkë me shërbëtorët e Solomonit në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr