Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 7:1-16

2 Kronikave 7:1-16 AL1

Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e ZOTIT mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e ZOTIT, se tempullin e kishte mbushur lavdia e ZOTIT. Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e ZOTIT mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan ZOTIN, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim. Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para ZOTIT. Mbreti Solomon i kushtoi ZOTIT njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin ZOTIT me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar ZOTIN, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë. Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë ZOTI Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet. Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e ZOTIT dhe në pallatin mbretëror, ZOTI iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë