Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 34

34
Mbretërimi i Josisë në Judë
1Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. 2Ai bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas. 3Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, teksa ishte ende djalosh, ai filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi të spastronte Judën dhe Jerusalemin prej faltoreve në vende të larta, prej shtyllave të Asherasë, prej shëmbëlltyrave të gdhendura dhe prej idhujve prej metali. 4Para syve të tij u shkatërruan altarët e Baalëve bashkë me altarët e temjanit mbi to. Shtyllat e Asherasë, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe idhujt prej metali i copëtoi e i bëri pluhur dhe pluhurin e tyre e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin kushtuar fli. 5Eshtrat e priftërinjve i dogji mbi altarët e tyre, duke pastruar kështu Judën dhe Jerusalemin. 6Josia bëri të njëjtën gjë edhe në qytetet e Manaseut, të Efraimit, të Simeonit e deri në qytetet e Neftaliut, kudo nëpër shtëpitë e tyre#34.6 të tjerë: Me sëpatat e tyre rreth e qark. 7Shkatërroi altarët, ndërsa shtyllat e Asherasë dhe shëmbëlltyrat e gdhendura i copëtoi dhe i bëri pluhur. Rrënoi të gjithë altarët ku kushtohej temjan anekënd tokës së Izraelit dhe u kthye në Jerusalem.
Rigjetja e rrotullës së ligjit
8Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, pasi spastroi vendin dhe tempullin, mbreti Josi dërgoi Shafanin, të birin e Acaljahut, Masejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, të birin e Jehoahazit, shkresarin, për të ndrequr tempullin e Zotit, Perëndisë së tij. 9Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe i dhanë paratë e hedhura për tempullin e Perëndisë, që portarët levitë kishin mbledhur nga Manaseu e Efraimi, nga pjesa tjetër e Izraelit, nga mbarë Juda e Benjamini dhe nga banorët e Jerusalemit. 10Paratë ua dhanë përgjegjësve të punëtorëve, që ishin caktuar për tempullin e Zotit, e ata ua dhanë punëtorëve që po kryenin meremetimet e dëmtimeve të tempullit të Zotit. 11Ata ua dhanë marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe dru për trarët e tempullit që mbretërit paraardhës të Judës e kishin shkatërruar. 12Të gjithë këta burra punonin me ndershmëri. Mbikëqyrës të punëtorëve ishin levitët Jahat dhe Abdi, pasardhës të Merarit, si edhe Zakaria e Meshulami, pasardhës të kohatitëve. Të gjithë levitët, që ishin mjeshtra të veglave muzikore, 13mbikëqyrnin mbartësit dhe drejtonin të gjithë ata që bënin punë të ndryshme. Disa prej levitëve ishin shkrues, kujdestarë dhe derëtarë.
14Teksa dorëzonin paratë që ishin hedhur në tempullin e Zotit, prifti Hilkiah gjeti rrotullën e ligjit të Zotit, dhënë përmes Moisiut. 15Hilkiahu i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e Zotit rrotullën e ligjit». Hilkiahu ia dha rrotullën Shafanit. 16Shafani ia solli rrotullën mbretit, e njoftoi e i tha: «Gjithçka që urdhërove të bëhet, shërbëtorët e tu po e kryejnë. 17Paratë që u gjetën në tempull i mblodhën e ua dhanë përgjegjësve dhe punëtorëve». 18Pastaj Shafani, shkruesi, i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha këtë rrotull». Shafani ia lexoi rrotullën mbretit.
19Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, shqeu rrobat. 20Atëherë ai i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: 21«Shkoni e këshillohuni me Zotin për mua, për pjesën e mbetur të Izraelit dhe për mbarë Judën, në lidhje me fjalët e kësaj rrotulle që gjetëm. Zemërimi i Zotit kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e Zotit për të zbatuar gjithçka është shkruar në këtë rrotull».
22Atëherë Hilkiahu bashkë me ata që kishte dërguar mbreti shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tokahatit, të birit të Hasraut, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ata folën me të 23e ajo u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini 24se kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë mallkimet e rrotullës që u lexua para mbretit të Judës, 25sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me të gjitha veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. 26Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me Zotin, do t'i thoni: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, 27meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Perëndisë sapo dëgjove fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, meqenëse u përule para meje, shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë Zoti. 28“Ja, unë do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.
Përtëritja e besëlidhjes
29Atëherë mbreti dërgoi lajm të mblidhej e gjithë pleqësia e Judës dhe e Jerusalemit. 30Mbreti shkoi në tempullin e Zotit bashkë me të gjithë banorët e Judës e të Jerusalemit, priftërinjtë, levitët e mbarë popullin, të madh e të vogël. Mbreti lexoi para tyre të gjitha fjalët e rrotullës së besëlidhjes që ishte gjetur në tempullin e Zotit. 31Pastaj mbreti qëndroi në vendin e tij të zakonshëm dhe bëri një besëlidhje para Zotit, për të ecur udhës së Zotit dhe për të mbajtur urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i përmbushur të gjitha fjalët e asaj besëlidhjeje, ashtu siç ishin shkruar në atë rrotull. 32Ai u kërkoi të gjithë atyre që u gjendën në Jerusalem dhe në Benjamin, t'i qëndronin besnikë besëlidhjes. Banorët e Jerusalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë së etërve të tyre. 33Josia zhduku të gjitha gjërat e neveritshme nga të gjitha trojet, që i përkisnin Izraelit, dhe i detyroi të gjithë ata që jetonin në Izrael t'i shërbenin Zotit, Perëndisë së tyre. Kështu, sa qe gjallë Josia ata nuk u larguan nga Zoti, Perëndia i etërve të tyre.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 34: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr