Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 20:20-30

2 Kronikave 20:20-30 AL1

Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoasë. Teksa po niseshin, Joshafati u ndal e u tha: «Dëgjomëni, o banorë të Judës dhe të Jerusalemit! Kini besim te ZOTI, Perëndia juaj, e do të dilni të fortë. Kini besim te profetët e tij e do të dilni fitimtarë!». Joshafati u këshillua me popullin dhe i vuri këngëtarët e ZOTIT, që ishin veshur me stoli të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë, duke kënduar: «Përlëvdojeni ZOTIN, se mirësia e tij mbetet përjetë». Kur filluan të këndojnë himne përlëvdimi, ZOTI ngriti prita kundër amonitëve, moabitëve e malësorëve të Seirit, që kishin ardhur për të sulmuar Judën, e ata u mposhtën. Atëherë amonitët dhe moabitët u hodhën në sulm kundër malësorëve të Seirit për t'i shkatërruar e për t'i shfarosur krejt. Pasi shfarosën malësorët e Seirit, ata iu vërsulën njëri-tjetrit e u vranë. Kur luftëtarët e Judës shkuan në kullën e vrojtimit të shkretëtirës për të vëzhguar hordhitë e armiqve, panë gjithkund kufoma të shtrira përtokë. Asnjë nuk kishte shpëtuar. Joshafati e mbarë populli shkuan për të marrë plaçkën e luftës dhe gjetën mes kufomave aq shumë pasuri, veshje e sende me vlerë, saqë nuk mund t'i mbanin dot. Për tri ditë me radhë mblidhnin plaçka lufte. Aq shumë kishte. Ditën e katërt u mblodhën në luginën e Berakahut dhe atje bekuan ZOTIN. Prandaj ai vend quhet lugina e Bekimit edhe sot e kësaj dite. Mandej të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, me Joshafatin në krye, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Këtë gëzim të madh ua kishte dhënë ZOTI, duke i bërë të ngadhënjenin mbi armiqtë. Ata shkuan në Jerusalem dhe hynë në tempullin e ZOTIT me harpa, me qeste e me trumbeta. Frika e Perëndisë i pushtoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur dëgjuan se vetë ZOTI kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. Kështu, mbretërimi i Joshafatit ishte i qetë, sepse Perëndia i tij i kishte dhënë paqe nga të gjitha anët.