Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 20:20-30

2 i Kronikave 20:20-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoasë. Teksa po niseshin, Joshafati u ndal e u tha: «Dëgjomëni, o banorë të Judës dhe të Jerusalemit! Kini besim te ZOTI, Perëndia juaj, e do të dilni të fortë. Kini besim te profetët e tij e do të dilni fitimtarë!». Joshafati u këshillua me popullin dhe i vuri këngëtarët e ZOTIT, që ishin veshur me stoli të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë, duke kënduar: «Përlëvdojeni ZOTIN, se mirësia e tij mbetet përjetë». Kur filluan të këndojnë himne përlëvdimi, ZOTI ngriti prita kundër amonitëve, moabitëve e malësorëve të Seirit, që kishin ardhur për të sulmuar Judën, e ata u mposhtën. Atëherë amonitët dhe moabitët u hodhën në sulm kundër malësorëve të Seirit për t'i shkatërruar e për t'i shfarosur krejt. Pasi shfarosën malësorët e Seirit, ata iu vërsulën njëri-tjetrit e u vranë. Kur luftëtarët e Judës shkuan në kullën e vrojtimit të shkretëtirës për të vëzhguar hordhitë e armiqve, panë gjithkund kufoma të shtrira përtokë. Asnjë nuk kishte shpëtuar. Joshafati e mbarë populli shkuan për të marrë plaçkën e luftës dhe gjetën mes kufomave aq shumë pasuri, veshje e sende me vlerë, saqë nuk mund t'i mbanin dot. Për tri ditë me radhë mblidhnin plaçka lufte. Aq shumë kishte. Ditën e katërt u mblodhën në luginën e Berakahut dhe atje bekuan ZOTIN. Prandaj ai vend quhet lugina e Bekimit edhe sot e kësaj dite. Mandej të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, me Joshafatin në krye, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Këtë gëzim të madh ua kishte dhënë ZOTI, duke i bërë të ngadhënjenin mbi armiqtë. Ata shkuan në Jerusalem dhe hynë në tempullin e ZOTIT me harpa, me qeste e me trumbeta. Frika e Perëndisë i pushtoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur dëgjuan se vetë ZOTI kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. Kështu, mbretërimi i Joshafatit ishte i qetë, sepse Perëndia i tij i kishte dhënë paqe nga të gjitha anët.

2 i Kronikave 20:20-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mëngjesin vijues u çuan shpejt dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoas; ndërsa po viheshin për rrugë, Jozafati, duke qëndruar në këmbë, tha: Dëgjomëni, o Judë, dhe ju banorë të Jeruzalemit! Besoni Zotin, Perëndinë tuaj, dhe do të jeni të fortë; besoni profetët e tij dhe do të keni mbarësi". Pastaj, pasi u këshillua me popullin, caktoi ata që duhet t'i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, ndërsa ecnin përpara ushtrisë dhe thoshin: "Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë". Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur. Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njëri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre. Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të këqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar. Atëherë Jozafati dhe njerëzit e tij shkuan për të marrë plaçkën e luftës; midis tyre gjetën një sasi të madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vlerë; morën për vete më tepër se sa mund t'i mbartnin; iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën, aq e shumtë ishte ajo. Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot. Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t'u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre. Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit. Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. Mbretëria e Jozafatit qe e qetë; Perëndia i tij i dha paqe rreth e qark.