Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 13

13
Mbretërimi i Abijahut në Judë
1Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, Abijahu u bë mbret i Judës 2dhe mbretëroi në Jerusalem për tre vjet. Nëna e tij ishte bija e Urielit nga Gibeahu dhe quhej Mikajë. Mes Abijahut dhe Jeroboamit pati luftë.
3Abijahu u nis për luftë me një ushtri me katërqind mijë luftëtarë të zgjedhur, ndërsa Jeroboami rreshtoi përballë tij tetëqind mijë burra, trima të fortë e të zgjedhur. 4Abijahu u ngjit në majë të malit të Cemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, e tha: «Dëgjomë, o Jeroboam e mbarë Izraeli! 5A nuk e dini se Zoti, Perëndia i Izraelit, me një besëlidhje të pathyeshme si kripa, i ka dhënë Davidit dhe pasardhësve të tij të drejtën për të mbretëruar përgjithmonë në Izrael? 6Por Jeroboami, biri i Nebatit dhe shërbëtor i Solomonit, birit të Davidit, doli e ngriti krye kundër zotërisë së vet. 7Rreth tij u mblodhën njerëz të poshtër e pa vlerë, që dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, sepse Rehoboami ishte ende i ri në atë kohë e pa përvojë dhe nuk arriti t'u bënte ballë. 8E tani mendokeni se mund t'i bëni ballë mbretërisë së Zotit, që është në duart e pasardhësve të Davidit, sepse jeni të shumtë në numër e me vete keni marrë edhe viçat e artë që Jeroboami jua bëri për perëndi. 9A nuk i dëbuat ju priftërinjtë e Zotit, pasardhësit e Aronit, dhe levitët, e mandej caktuat vetë priftërinj, siç bëjnë popujt e tjerë të tokës? Kushdo që vjen me një mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift idhujsh që nuk janë perëndi. 10Ndërsa ne kemi për Perëndi Zotin dhe nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë, që i shërbejnë Zotit, janë pasardhës të Aronit dhe levitët ende kryejnë shërbesën e tyre. 11Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi dhe temjan erëmirë, paraqesin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër dhe po çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë bashkë me llambat e tij. Ne e kryejmë ende me besnikëri shërbesën e Zotit, Perëndisë tonë, që ju e braktisët. 12Vetë Perëndia është me ne e ai na prin. Priftërinjtë po u bien borive si shenjë kushtrimi kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë së etërve tuaj, sepse nuk do t'ia dilni!».
13Ndërkohë Jeroboami kishte ngritur një kurth për t'i sulmuar nga pas luftëtarët e Judës. Kështu, luftëtarët e Izraelit ishin përballë luftëtarëve të Judës, por edhe në kurthin që u ishte ngritur pas shpine. 14Kur luftëtarët e Judës u kthyen e panë se po sulmoheshin edhe nga para, edhe nga pas, i thirrën në ndihmë Zotit, ndërsa priftërinjtë filluan t'u bien borive. 15Luftëtarët e Judës lëshuan kushtrimin e, teksa ata lëshuan kushtrimin, Perëndia e goditi Jeroboamin e mbarë Izraelin para syve të Abijahut e Judës. 16Izraelitët ua mbathën para luftëtarëve të Judës dhe Perëndia i dorëzoi tek ata. 17Abijahu dhe luftëtarët e tij vranë me shpatë shumë izraelitë, prej të cilëve mbetën të vrarë pesëqind mijë burra të zgjedhur. 18Kështu, në atë kohë izraelitët u poshtëruan, ndërsa judenjtë u bënë më të fortë, sepse e kishin vënë shpresën te Zoti, Perëndia i etërve të tyre. 19Abijahu iu vu pas Jeroboamit dhe pushtoi disa nga qytetet e tij, Betelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efronin me fshatrat përreth. 20Gjatë mbretërimit të Abijahut, Jeroboami nuk e fitoi më kurrë fuqinë që kishte më parë. Zoti e goditi Jeroboamin e ai vdiq. 21Abijahu, përkundrazi, bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai u martua me katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza. 22Bëmat e tjera të Abijahut, veprat dhe ligjëratat e tij janë të shkruara në Shënimet e profetit Ido. 23#13.23 të tjerë e rendisin si 14.1 Abijahu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Asai. Gjatë mbretërimit të Asait në vend pati paqe për dhjetë vjet.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë