Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 6:6-19

1 Timoteut 6:6-19 AL1

Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka, sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj. Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq. Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim. Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje. Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kur të vijë koha, ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia, i lumi, i vetmi sundues, mbreti i mbretërve e Zoti i zotërve. Vetëm ai është i pavdekshëm e banon në dritën që asnjeri nuk i afrohet dot. Atë nuk e ka parë asnjë njeri e as nuk mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe fuqia e amshuar! Amen! Pasanikët e kohës së tanishme urdhëroji të mos u rritet mendja, as të mos e mbajnë shpresën në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë që na jep gjithçka me zemërgjerësi për të mirën tonë. Urdhëroji të bëjnë të mirën, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë zemërgjerë dhe të gatshëm për të dhënë. Kështu ata do të grumbullojnë për vete një thesar e do të vënë themel të mirë për të ardhmen, që të marrin jetën e vërtetë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për 1 Timoteut 6:6-19

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë