Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 6:6-19

1 Timoteut 6:6-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhembje. Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve. Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi, ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht, që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen. Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar, të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë, duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.

1 Timoteut 6:6-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka, sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj. Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq. Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim. Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje. Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kur të vijë koha, ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia, i lumi, i vetmi sundues, mbreti i mbretërve e Zoti i zotërve. Vetëm ai është i pavdekshëm e banon në dritën që asnjeri nuk i afrohet dot. Atë nuk e ka parë asnjë njeri e as nuk mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe fuqia e amshuar! Amen! Pasanikët e kohës së tanishme urdhëroji të mos u rritet mendja, as të mos e mbajnë shpresën në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë që na jep gjithçka me zemërgjerësi për të mirën tonë. Urdhëroji të bëjnë të mirën, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë zemërgjerë dhe të gatshëm për të dhënë. Kështu ata do të grumbullojnë për vete një thesar e do të vënë themel të mirë për të ardhmen, që të marrin jetën e vërtetë.