Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 3

3
Cilësitë e peshkopëve
1Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë.
2Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, 3jo pijanec, jo i dhunshëm#3.3 dorëshk. të tjera edhe: jo lakmitar fitimesh të pandershme, por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. 4Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. 5Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? 6Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. 7Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit.
Cilësitë e dhjakëve
8Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra#3.8 ose: me dy gjuhë, jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. 9Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. 10Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. 11Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. 12Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. 13Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu.
E fshehta e besimit
14Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, 15por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. 16Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit:
Perëndia u shfaq në trup njerëzor,
u shpall i drejtë nga Shpirti,
u pa nga engjëjt,
u predikua mes kombeve,
u besua në botë,
u ngrit në lavdi.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Timoteut 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr