Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 7:3-17

1 Samuelit 7:3-17 AL1

Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt ZOTIT, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër ZOTIT, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm ZOTIT. Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem ZOTIT për ju». Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para ZOTIT dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para ZOTIT». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah. Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, ZOTI, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi ZOTIT si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri ZOTIT për hir të Izraelit e ZOTI iu përgjigj. Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por ZOTI i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har. Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu na ndihmoi ZOTI». Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e ZOTIT i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët. Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për ZOTIN.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë