Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 7:3-17

1 i Samuelit 7:3-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt ZOTIT, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër ZOTIT, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm ZOTIT. Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem ZOTIT për ju». Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para ZOTIT dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para ZOTIT». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah. Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, ZOTI, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi ZOTIT si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri ZOTIT për hir të Izraelit e ZOTI iu përgjigj. Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por ZOTI i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har. Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu na ndihmoi ZOTI». Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e ZOTIT i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët. Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për ZOTIN.

1 i Samuelit 7:3-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit. Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t'i lutem Zotit për ju". Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah. Kur filistenjtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e filistenjve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga filistenjtë. Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e filistenjve". Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si holokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën. Ndërsa Samueli ofronte holokaustin, filistenjtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër filistenjve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit. Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën filistenjtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit. Atëherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar". Kështu filistenjtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër filistenjve gjatë gjithë kohës së Samuelit. Edhe qytetet që filistenjtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e filistenjve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe amorenjve. Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij. Çdo vit ai i binte përqark Bethelit, Gilgalit dhe Mitspahut dhe ushtronte funksionin e gjyqtarit të Izraelit mbi tërë këto vende. Pastaj kthehej në Ramah, sepse aty ishte shtëpia e tij. Aty e gjykonte Izraelin dhe po aty ngriti një altar për Zotin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë