Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 7:2-17

1 Samuelit 7:2-17 AL1

Gjatë gjithë kohës që arka qëndroi në Kirjat Jearim, dhe ajo qëndroi aty për një kohë të gjatë, njëzet vjet, tërë shtëpia e Izraelit i përgjërohej ZOTIT. Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt ZOTIT, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër ZOTIT, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm ZOTIT. Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem ZOTIT për ju». Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para ZOTIT dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para ZOTIT». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah. Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, ZOTI, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi ZOTIT si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri ZOTIT për hir të Izraelit e ZOTI iu përgjigj. Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por ZOTI i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har. Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu na ndihmoi ZOTI». Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e ZOTIT i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët. Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për ZOTIN.