Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 7:2-17

1 i Samuelit 7:2-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Gjatë gjithë kohës që arka qëndroi në Kirjat Jearim, dhe ajo qëndroi aty për një kohë të gjatë, njëzet vjet, tërë shtëpia e Izraelit i përgjërohej ZOTIT. Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt ZOTIT, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër ZOTIT, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm ZOTIT. Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem ZOTIT për ju». Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para ZOTIT dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para ZOTIT». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah. Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, ZOTI, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi ZOTIT si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri ZOTIT për hir të Izraelit e ZOTI iu përgjigj. Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por ZOTI i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har. Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu na ndihmoi ZOTI». Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e ZOTIT i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët. Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për ZOTIN.

1 i Samuelit 7:2-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Shumë kohë kishte kaluar nga dita që arka ishte vendosur në Kiriath-Jearim; kishin kaluar njëzet vjet dhe tërë shtëpia e Izraelit i ankohej Zotit. Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit. Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t'i lutem Zotit për ju". Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah. Kur filistenjtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e filistenjve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga filistenjtë. Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e filistenjve". Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si holokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën. Ndërsa Samueli ofronte holokaustin, filistenjtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër filistenjve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit. Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën filistenjtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit. Atëherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar". Kështu filistenjtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër filistenjve gjatë gjithë kohës së Samuelit. Edhe qytetet që filistenjtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e filistenjve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe amorenjve. Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij. Çdo vit ai i binte përqark Bethelit, Gilgalit dhe Mitspahut dhe ushtronte funksionin e gjyqtarit të Izraelit mbi tërë këto vende. Pastaj kthehej në Ramah, sepse aty ishte shtëpia e tij. Aty e gjykonte Izraelin dhe po aty ngriti një altar për Zotin.