Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 30:1-20

1 Samuelit 30:1-20 AL1

Pas tre ditësh Davidi e njerëzit e tij mbërritën në Ciklag, por amalekitët i kishin rënë Negevit e Ciklagut. E kishin sulmuar Ciklagun e i kishin vënë zjarrin. Kishin marrë rob gratë e qytetit, nga më e reja te më e vjetra. Nuk kishin vrarë askënd, por i kishin dëbuar e ata kishin marrë udhën. Kur mbërriti në qytet me njerëzit e tij, Davidi pa se qyteti po digjej e gratë ishin marrë rob me bij e bija. Atëherë Davidi e burrat që ishin me të vunë kujën e qanë derisa s'patën më fuqi të qanin. Ishin zënë rob edhe dy gratë e Davidit, Ahinoama prej Izrelit dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit. Davidi u gjend ngushtë, se populli po mendonte ta vriste me gurë ngaqë të gjithë ishin shumë të hidhëruar për shkak të bijve e bijave të tyre. Por Davidi gjeti forcë në ZOTIN, Perëndinë e tij. Davidi i tha priftit Abiatar, birit të Ahimelekut, t'i sillte efodin dhe ai ia solli. Atëherë Davidi e pyeti ZOTIN: «A ta ndjek këtë hordhi? A do t'i zë dot?» Ai i tha: «Po, ndiqi, se do t'i zësh e do t'i shpëtosh robërit». Davidi u nis me gjashtëqind burra e mbërriti te përroi i Besorit. Disa prej tyre u ndalën aty. Davidi i ndoqi edhe më tej me katërqind burra. Dyqind burrat që u ndalën te përroi i Besorit, ishin të rraskapitur e nuk mund të shkonin më tej. Në fushë hasën një egjiptian, e çuan te Davidi e i dhanë bukë e ujë. I dhanë edhe një copë bukëfiqe e dy vile rrushi të thatë. Ai hëngri dhe i erdhi shpirti në vend, se nuk kishte ngrënë e nuk kishte pirë për tri ditë e tri net. Atëherë Davidi e pyeti: «I kujt je e nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam djalosh egjiptian, shërbëtor i një amalekiti, por imzot më braktisi para tri ditësh, se u sëmura. Ne plaçkitëm Negevin e Keretit, Negevin e Judës dhe Negevin e Kalebit, ndërsa Ciklagut i vumë zjarrin». Davidi i tha: «A po më çon te kjo hordhi?». Ai i tha: «M'u beto për Perëndinë se nuk do të më vrasësh e nuk do të më dorëzosh tek imzot dhe unë do të të çoj tek ajo hordhi». Kur i çoi tek amalekitët, ata ishin shpërndarë anekënd vendit e po festonin me prenë që kishin plaçkitur nga toka e filistinëve dhe e Judës. Të nesërmen, Davidi i sulmoi në të gdhirë e nuk pushoi deri në mbrëmje. Asnjë nuk shpëtoi, përveç katërqind djelmosha që u hipën deveve e ikën. Davidi shpëtoi dy gratë e veta e gjithçka që kishin plaçkitur amalekitët. Nuk u mungonte asgjë e plaçkitur, nga më e madhja te më e vogla, as bij e bija, as plaçkë e pre. Davidi i ktheu të gjitha. Ai mori edhe gjithë dhentë e qetë. Kur i sollën bagëtitë para tij thanë: «Kjo është preja e Davidit».