1 i Samuelit 30:1-20
1 i Samuelit 30:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas tre ditësh Davidi e njerëzit e tij mbërritën në Ciklag, por amalekitët i kishin rënë Negevit e Ciklagut. E kishin sulmuar Ciklagun e i kishin vënë zjarrin. Kishin marrë rob gratë e qytetit, nga më e reja te më e vjetra. Nuk kishin vrarë askënd, por i kishin dëbuar e ata kishin marrë udhën. Kur mbërriti në qytet me njerëzit e tij, Davidi pa se qyteti po digjej e gratë ishin marrë rob me bij e bija. Atëherë Davidi e burrat që ishin me të vunë kujën e qanë derisa s'patën më fuqi të qanin. Ishin zënë rob edhe dy gratë e Davidit, Ahinoama prej Izrelit dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit. Davidi u gjend ngushtë, se populli po mendonte ta vriste me gurë ngaqë të gjithë ishin shumë të hidhëruar për shkak të bijve e bijave të tyre. Por Davidi gjeti forcë në ZOTIN, Perëndinë e tij. Davidi i tha priftit Abiatar, birit të Ahimelekut, t'i sillte efodin dhe ai ia solli. Atëherë Davidi e pyeti ZOTIN: «A ta ndjek këtë hordhi? A do t'i zë dot?» Ai i tha: «Po, ndiqi, se do t'i zësh e do t'i shpëtosh robërit». Davidi u nis me gjashtëqind burra e mbërriti te përroi i Besorit. Disa prej tyre u ndalën aty. Davidi i ndoqi edhe më tej me katërqind burra. Dyqind burrat që u ndalën te përroi i Besorit, ishin të rraskapitur e nuk mund të shkonin më tej. Në fushë hasën një egjiptian, e çuan te Davidi e i dhanë bukë e ujë. I dhanë edhe një copë bukëfiqe e dy vile rrushi të thatë. Ai hëngri dhe i erdhi shpirti në vend, se nuk kishte ngrënë e nuk kishte pirë për tri ditë e tri net. Atëherë Davidi e pyeti: «I kujt je e nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam djalosh egjiptian, shërbëtor i një amalekiti, por imzot më braktisi para tri ditësh, se u sëmura. Ne plaçkitëm Negevin e Keretit, Negevin e Judës dhe Negevin e Kalebit, ndërsa Ciklagut i vumë zjarrin». Davidi i tha: «A po më çon te kjo hordhi?». Ai i tha: «M'u beto për Perëndinë se nuk do të më vrasësh e nuk do të më dorëzosh tek imzot dhe unë do të të çoj tek ajo hordhi». Kur i çoi tek amalekitët, ata ishin shpërndarë anekënd vendit e po festonin me prenë që kishin plaçkitur nga toka e filistinëve dhe e Judës. Të nesërmen, Davidi i sulmoi në të gdhirë e nuk pushoi deri në mbrëmje. Asnjë nuk shpëtoi, përveç katërqind djelmosha që u hipën deveve e ikën. Davidi shpëtoi dy gratë e veta e gjithçka që kishin plaçkitur amalekitët. Nuk u mungonte asgjë e plaçkitur, nga më e madhja te më e vogla, as bij e bija, as plaçkë e pre. Davidi i ktheu të gjitha. Ai mori edhe gjithë dhentë e qetë. Kur i sollën bagëtitë para tij thanë: «Kjo është preja e Davidit».
1 i Samuelit 30:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në Tsiklag ditën e tretë, amalekitët kishin kryer një plaçkitje në Negev dhe në Tsiklag; kishin pushtuar Tsiklagun dhe i kishin vënë zjarrin; kishin zënë robër gratë dhe tërë ata që ndodheshin aty, të vegjël a të rritur; nuk kishin vrarë asnjeri, por i kishin marrë me vete dhe kishin shkuar. Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në qytet, ja, qyteti ishte shkatërruar nga zjarri, dhe gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë me vete si robër. Atëherë Davidi dhe tërë ata që ishin me të ngritën zërin dhe qanë, derisa nuk patën forcë të qajnë. Dy bashkëshortet e Davidit, jezreelitja Ahinoama dhe karmelitja Abigail, e cila kishte qenë bashkëshorte e Nabalit, figuronin gjithashtu midis robërve. Davidi ishte shqetësuar shumë se njerëzit flisnin për ta vrarë atë me gurë, sepse të gjithë e kishin shpirtin të trishtuar për shkak të bijve dhe të bijave të tyre; por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij. Pastaj Davidi i tha priftit Abiathar, birit të Ahimelekut: "Të lutem, më sill efodin". Abiathari i solli efodin Davidit. Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjigj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë". Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa; por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit. Gjetën në fushë një egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë; i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri net me radhë. Davidi e pyeti: "Ti kujt i përket dhe nga vjen?". Ai u përgjigj: "Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura. Kemi bërë një plaçkitje në jug të kerethenjve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut". Davidi i tha: "A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?". Ai u përgjigj: "Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë". Dhe e çoi poshtë; dhe ja amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i filistenjve dhe nga vendi u Judës. Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën. Kështu Davidi rimori të gjitha ato që amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij. Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha. Kështu Davidi shtiu në dorë kopetë e bagëtisë së imët dhe tufat e bagëtisë së trashë; dhe ata që ecnin para bagëtive thoshin: "Kjo është plaçka e Davidit!".