Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 3

3
Thirrja e Samuelit
1Djaloshi Samuel i shërbente Zotit në prani të Eliut. Asokohe fjala e Zotit dëgjohej rrallë dhe nuk kishte vegime të shpeshta.
2Një herë Eliu ishte shtrirë në shtrojën e vet. Ai nuk shihte mirë ngaqë po e linin sytë. 3Edhe Samueli ishte shtrirë në tempullin e Zotit, aty ku ishte arka e Perëndisë. Llamba e Perëndisë nuk ishte ndezur ende. 4Atëherë Zoti e thirri Samuelin e ai u përgjigj: «Ja ku jam!». 5Pastaj vrapoi drejt Eliut duke i thënë: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra. Shko e fli!». Kështu, iku e ra të flinte. 6Zoti e thirri sërish Samuelin. Ai u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra, biri im. Shko e fli!». 7Samueli nuk e kishte njohur ende Zotin dhe fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. 8Zoti e thirri sërish për të tretën herë. Samueli u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Atëherë Eliu e kuptoi që djaloshin po e thërriste Zoti, 9prandaj i tha: «Shko e fli! Nëse të thërret sërish thuaj: “Fol, o Zot, se shërbëtori yt po dëgjon”». Kështu, Samueli shkoi e ra në shtrojën e vet.
10 Zoti erdhi, qëndroi atje dhe e thirri si më parë: «Samuel, Samuel!». Atëherë Samueli u përgjigj: «Fol, se shërbëtori yt po dëgjon». 11Zoti i tha: «Ja, do të bëj diçka në Izrael, që kur ta dëgjojnë, do t'u buçasin veshët. 12Atë ditë do të përmbush fund e krye gjithçka thashë kundër Eliut e shtëpisë së tij. 13I kisha treguar që do ta dënoja përgjithmonë shtëpinë e tij, sepse, edhe kur i mori vesh fajet e djemve, nuk i qortoi. 14Prandaj iu betova shtëpisë së Eliut, se faji i tyre nuk do të shlyhet kurrë as me fli e as me kushte».
15Samueli fjeti deri në mëngjes e pastaj hapi portat e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'ia tregonte Eliut vegimin. 16Eliu e thirri e i tha: «Samuel, biri im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». 17Eliu i tha: «Çfarë të tha? Mos ma fsheh! Keq e më keq ta bëftë Perëndia, nëse më fsheh ndonjë gjë prej fjalëve që të tha». 18Atëherë Samueli ia tregoi të gjitha pa fshehur gjë. Dhe Eliu u përgjigj: «Zoti bëftë si t'i duket më mirë!».
19Samueli u rrit. Zoti ishte me të e nuk lejoi t'i shkonte fjala më kot. 20Mbarë Izraeli, prej Danit deri në Bershebë, e mori vesh se Samueli ishte caktuar profet i Zotit. 21Zoti vazhdoi të shfaqej në Shiloh, se Zoti i zbulohej Samuelit atje përmes fjalës së tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr