Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 26:5-25

1 Samuelit 26:5-25 AL1

Pastaj ai u ngrit e shkoi ku fushonte Sauli. Davidi e vrojtoi vendin ku pushonin Sauli e Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë. Në mes të fushimit po pushonte Sauli me ushtrinë përreth. Atëherë Davidi i tha Ahimelek Hititit e Abishait, birit të Cerujahut, vëllait të Joabit: «Kush do të zbresë me mua te fushimi i Saulit?». Abishai i tha: «Do të zbres unë me ty». Davidi e Abishai shkuan gjatë natës tek ushtria. Sauli po flinte në fushim me heshtën e ngulur në tokë pranë kokës. Abneri e ushtria flinin përreth tij. Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka lënë në dorë armikun. Më lër ta ngul në tokë me një të rënë të heshtës pa e goditur dy herë». Por Davidi i tha: «Mos i bëj keq. Kush ngre dorë kundër të vajosurit të ZOTIT dhe mbetet i pafajshëm?». Davidi shtoi: «Pasha ZOTIN, ose do ta godasë ZOTI, ose do t'i vijë vdekja vetë, ose do të bjerë në luftë e do të marrë fund. Mos e thëntë ZOTI që unë të ngre dorë kundër të vajosurit të ZOTIT. Merrja heshtën pranë kokës e katruven e ujit dhe eja të ikim». Davidi mori heshtën e katruven e ujit, që ishin pranë kokës së Saulit, e ata ikën. Askush nuk i pa, askush nuk mori vesh gjë e askush nuk u zgjua. Të gjithë po flinin, se i kishte zënë një gjumë i thellë prej ZOTIT. Davidi kaloi në anën tjetër e qëndroi në majë të malit. Ata ishin shumë larg njëri-tjetrit. Atëherë Davidi i thirri ushtrisë e Abnerit, birit të Nerit, e u tha: «Përgjigjmu, o Abner!». Abneri ia ktheu: «Kush je ti që po i thërret mbretit?». Davidi i tha: «A je burrë? Kush është si ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte, zotërinë tënd, mbretin? Dikush nga populli erdhi t'i bënte keq mbretit, zotërisë tënd. Kjo nuk është gjë e mirë. Pasha ZOTIN, ju meritoni të vdisni, se nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të vajosurin e ZOTIT. Shikoni, pra, a nuk janë këto heshta e katruvja e ujit që mbante te koka mbreti?». Sauli e njohu zërin e Davidit e i tha: «A është zëri yt ky, o David, biri im?». Davidi iu përgjigj: «Po, imzot, mbret». Ai shtoi: «Përse e përndjek kështu shërbëtorin tënd, imzot? Çfarë kam bërë? Ç'faj kam? Dëgjoje, pra, o imzot, fjalën e shërbëtorit tënd. Nëse të ka ngucur ZOTI kundër meje, atë e qetësoftë flija erëkëndshme! Por, në qofshin njerëzit, mallkuar qofshin para ZOTIT, se më kanë hequr nga trashëgimia e ZOTIT e më kanë thënë: “Ik e shërbeju perëndive të tjerë!”. Prandaj mos e lër gjakun tim të derdhet larg pranisë së ZOTIT, se mbreti i Izraelit ka dalë të ndjekë një plesht, a thua se po gjuan ndonjë thëllëzë mali». Atëherë Sauli i tha: «Kam mëkatuar! Kthehu biri im, David, se nuk do të të bëj më keq. Sot tregove se jeta ime është e shtrenjtë për ty. Kam vepruar si i marrë e kam gabuar shumë rëndë!». Davidi iu përgjigj: «Ja ku e ke heshtën, o mbret. Dërgo një nga djelmoshat ta marrë. ZOTI shpërbleftë këdo sipas drejtësisë e besnikërisë së vet! Sot ai të dorëzoi në duart e mia, por unë nuk desha të ngrija dorë kundër të vajosurit të ZOTIT. Siç ishte sot jeta jote e shtrenjtë për mua, ashtu është edhe jeta ime para ZOTIT. Ai më shpëtoftë prej çdo rreziku!». Sauli i tha Davidit: «Bekuar qofsh, o David, biri im. Të priftë e mbara në çdo gjë që bën». Atëherë Davidi shkoi udhës së vet e Sauli u kthye në vendin e vet.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë