Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 26:5-25

1 i Samuelit 26:5-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj ai u ngrit e shkoi ku fushonte Sauli. Davidi e vrojtoi vendin ku pushonin Sauli e Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë. Në mes të fushimit po pushonte Sauli me ushtrinë përreth. Atëherë Davidi i tha Ahimelek Hititit e Abishait, birit të Cerujahut, vëllait të Joabit: «Kush do të zbresë me mua te fushimi i Saulit?». Abishai i tha: «Do të zbres unë me ty». Davidi e Abishai shkuan gjatë natës tek ushtria. Sauli po flinte në fushim me heshtën e ngulur në tokë pranë kokës. Abneri e ushtria flinin përreth tij. Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka lënë në dorë armikun. Më lër ta ngul në tokë me një të rënë të heshtës pa e goditur dy herë». Por Davidi i tha: «Mos i bëj keq. Kush ngre dorë kundër të vajosurit të ZOTIT dhe mbetet i pafajshëm?». Davidi shtoi: «Pasha ZOTIN, ose do ta godasë ZOTI, ose do t'i vijë vdekja vetë, ose do të bjerë në luftë e do të marrë fund. Mos e thëntë ZOTI që unë të ngre dorë kundër të vajosurit të ZOTIT. Merrja heshtën pranë kokës e katruven e ujit dhe eja të ikim». Davidi mori heshtën e katruven e ujit, që ishin pranë kokës së Saulit, e ata ikën. Askush nuk i pa, askush nuk mori vesh gjë e askush nuk u zgjua. Të gjithë po flinin, se i kishte zënë një gjumë i thellë prej ZOTIT. Davidi kaloi në anën tjetër e qëndroi në majë të malit. Ata ishin shumë larg njëri-tjetrit. Atëherë Davidi i thirri ushtrisë e Abnerit, birit të Nerit, e u tha: «Përgjigjmu, o Abner!». Abneri ia ktheu: «Kush je ti që po i thërret mbretit?». Davidi i tha: «A je burrë? Kush është si ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte, zotërinë tënd, mbretin? Dikush nga populli erdhi t'i bënte keq mbretit, zotërisë tënd. Kjo nuk është gjë e mirë. Pasha ZOTIN, ju meritoni të vdisni, se nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të vajosurin e ZOTIT. Shikoni, pra, a nuk janë këto heshta e katruvja e ujit që mbante te koka mbreti?». Sauli e njohu zërin e Davidit e i tha: «A është zëri yt ky, o David, biri im?». Davidi iu përgjigj: «Po, imzot, mbret». Ai shtoi: «Përse e përndjek kështu shërbëtorin tënd, imzot? Çfarë kam bërë? Ç'faj kam? Dëgjoje, pra, o imzot, fjalën e shërbëtorit tënd. Nëse të ka ngucur ZOTI kundër meje, atë e qetësoftë flija erëkëndshme! Por, në qofshin njerëzit, mallkuar qofshin para ZOTIT, se më kanë hequr nga trashëgimia e ZOTIT e më kanë thënë: “Ik e shërbeju perëndive të tjerë!”. Prandaj mos e lër gjakun tim të derdhet larg pranisë së ZOTIT, se mbreti i Izraelit ka dalë të ndjekë një plesht, a thua se po gjuan ndonjë thëllëzë mali». Atëherë Sauli i tha: «Kam mëkatuar! Kthehu biri im, David, se nuk do të të bëj më keq. Sot tregove se jeta ime është e shtrenjtë për ty. Kam vepruar si i marrë e kam gabuar shumë rëndë!». Davidi iu përgjigj: «Ja ku e ke heshtën, o mbret. Dërgo një nga djelmoshat ta marrë. ZOTI shpërbleftë këdo sipas drejtësisë e besnikërisë së vet! Sot ai të dorëzoi në duart e mia, por unë nuk desha të ngrija dorë kundër të vajosurit të ZOTIT. Siç ishte sot jeta jote e shtrenjtë për mua, ashtu është edhe jeta ime para ZOTIT. Ai më shpëtoftë prej çdo rreziku!». Sauli i tha Davidit: «Bekuar qofsh, o David, biri im. Të priftë e mbara në çdo gjë që bën». Atëherë Davidi shkoi udhës së vet e Sauli u kthye në vendin e vet.

1 i Samuelit 26:5-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij. Davidi iu drejtua pastaj hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: "Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?". Abishai u përgjigj: "Do të vij unë bashkë me ty". Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij. Atëherë Abishai i tha Davidit: "Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë". Por Davidi i tha Abishait: "Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?". Pastaj Davidi shtoi: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t'i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet. Zoti të më ruajë që të mos e shtyj dorën kundër të vajosurit të Zotit! Tani, të lutem merre shtizën që është pranë kokës së tij dhe enën e ujit dhe të ikim". Kështu Davidi mori shtizën dhe kanën e ujit që ishte pranë kokës së Saulit dhe iku. Asnjeri nuk pa gjë, asnjeri nuk vuri re, asnjeri nuk u zgjua; të gjithë flinin, sepse një gjumë i thellë i dërguar nga Zoti i kishte zënë. Pastaj Davidi kaloi në krahun e kundërt dhe u ndal larg, në majën e malit; kishte një lartësi të madhe midis tyre. Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit". Davidi i tha kështu Abnerit: "A nuk je një njeri trim? Dhe kush është njësoj me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënde? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënde. Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!". Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: "A është zëri yt, o biri im David?". Davidi u përgjigj: "Është zëri im, o mbret, o imzot!". Pastaj shtoi: "Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç'kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer? Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd. Në rast se Zoti të nxit kundër meje, ai le të pranojë një blatim! Por në rast se janë njerëz, qofshin të mallkuar përpara Zotit, sepse sot më kanë përzënë që të më pengonin të merrja pjesën në trashëgiminë e Zotit, duke më thënë: "Shko t'u shërbesh perëndive të tjera". Tani, pra, gjaku im mos rëntë në tokë larg pranisë të Zotit! Sepse mbreti i Izraelit doli për të kërkuar një plesht, ashtu si gjuajnë një thëllëzë nëpër male". Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar; ktheu, biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë". Davidi u përgjigj: "Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë. Zoti do t'i japë secilit sipas drejtësisë dhe besnikërisë së tij; sot në fakt Zoti të kishte dhënë në duart e mia, por unë nuk desha të shtrija dorën time kundër të vajosurit të Zotit. Ashtu si sot jeta jote ka qenë e çmuar në sytë e mi, kështu ka për të qenë e çmuar jeta ime në sytë e Zotit; dhe ai të më largojë çdo fatkeqësi". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar". Kështu Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet.