Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 23

23
Davidi çliron Kejlahun
1Davidin e lajmëruan e i thanë: «Ja, filistinët po sulmojnë Kejlahun e po përlajnë lëmenjtë». 2Atëherë Davidi pyeti Zotin: «A t'i sulmoj filistinët?». Zoti iu përgjigj: «Sulmoji filistinët e çliroje Kejlahun». 3Por njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, ne jemi në Judë e na ka kapur frika. Si të shkojmë në Kejlah kundër forcave filistine?». 4Atëherë Davidi pyeti sërish Zotin e ai iu përgjigj: «Ngrihu e shko në Kejlah, se unë po t'i dorëzoj filistinët». 5Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi në Kejlah, i sulmoi filistinët dhe dëboi bagëtitë e tyre. Filistinët u shpartalluan dhe Davidi i çliroi banorët e Kejlahut.
6Abiatari, biri i Ahimelekut, kishte shkuar te Davidi në Kejlah dhe kishte marrë me vete efodin. 7Saulin e lajmëruan se Davidi kishte mbërritur në Kejlah. Atëherë ai tha: «Ma ka dorëzuar Perëndia, se shkoi e u mbyll në një qytet me dyer e shula». 8Sauli mblodhi tërë popullin për të mësyrë Kejlahun e për të rrethuar Davidin e njerëzit e tij. 9Davidi e mori vesh se Sauli po kurdiste ligësi kundër tij, prandaj i tha priftit Abiatar që të sillte efodin. 10Atëherë Davidi tha: «O Zot, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt mori vesh se Sauli po kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. 11A do të më dorëzojnë banorët e Kejlahut te Sauli? A do të vijë Sauli, siç dëgjoi shërbëtori yt, o Zot, Perëndia i Izraelit? Tregoji, të lutem, shërbëtorit tënd!». Zoti iu përgjigj: «Sauli do të vijë». 12Davidi e pyeti: «A do të na dorëzojnë te Sauli krerët e Kejlahut?». Zoti i tha: «Po, do t'ju dorëzojnë». 13Atëherë Davidi dhe gjashtëqind njerëzit e tij ikën prej Kejlahut e u endën gjithandej. Saulit i treguan se Davidi kishte ikur prej Kejlahut dhe ai nuk e sulmoi. 14Davidi banoi në fortesat e shkretëtirës, në malësinë e shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte ditë për ditë, por Perëndia nuk ia dorëzoi kurrë Davidin.
Davidi dhe Jonatani
15Davidi ishte në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, kur pa se Sauli kishte dalë për t'i marrë jetën. 16Jonatani, biri i Saulit, u ngrit e shkoi te Davidi në Horesh. Ai i dha zemër në emër të Perëndisë 17e i tha: «Mos ki frikë, se Sauli, ati im, nuk ka për të të gjetur. Ti do të mbretërosh në Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë». 18Të dy lidhën besën para Zotit. Davidi qëndroi në Horesh e Jonatani u kthye në shtëpi.
19Atëherë zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi fshihet mes nesh, në fortesat e Horeshit, në malin e Hakilahut, që ndodhet në jug të Jishmonit. 20Prandaj, eja, o mbret, kur të ta ketë ënda e ne do të ta dorëzojmë». 21Sauli u tha: «Zoti ju bekoftë, se po tregoheni të dhembshur me mua. 22Shkoni e sigurohuni përsëri. Gjeni e shikoni ku i shkel këmba e kush e ka parë atje, se kam dëgjuar se është shumë dinak. 23Shikoni e gjeni të gjitha vendet ku fshihet, pastaj ejani tek unë të sigurt e unë do të vij me ju. Nëse ndodhet në këtë vend, do ta kërkoj anekënd Judës». 24Ata u larguan nga Sauli e shkuan në Zif. Davidi e njerëzit e tij ndodheshin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të Jishmonit.
25Sauli e njerëzit e tij shkuan për ta kërkuar, por Davidin e njoftuan dhe ai zbriti te shkëmbi e banoi në shkretëtirën e Maonit. Sauli e mori vesh dhe e gjurmoi nëpër shkretëtirën e Maonit. 26Sauli shkoi në njërin shpat të malit, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shpatin tjetër. Davidi nxitoi të largohej prej Saulit, kur Sauli dhe njerëzit e tij po i rrethonin për t'i kapur. 27Atëherë mbërriti një lajmëtar te Sauli e i tha: «Nxito dhe eja shpejt, se filistinët po sulmojnë vendin». 28Sauli hoqi dorë nga ndjekja e Davidit e shkoi të ndeshej me filistinët, prandaj ai vend u quajt shkëmbi i Hamahlekotit.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 23: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr