Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 20:30-42

1 Samuelit 20:30-42 AL1

Atëherë Sauli u zemërua fort me Jonatanin e i tha: «Bir i bushtrës së pabesë! Pse, nuk e di unë se ke zgjedhur birin e Jeseut? S'të vjen turp as për vete e as për lakuriqësinë e sat ëme! Për sa kohë të jetojë mbi tokë biri i Jeseut, as ti dhe as mbretëria jote nuk do të jenë të sigurta, prandaj shko e ma sill, se ai ka për të vdekur!». Jonatani iu përgjigj Saulit, të atit: «Pse të vdesë? Çfarë ka bërë?». Por Sauli e gjuajti me heshtë. Atëherë Jonatani e kuptoi se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin. Jonatani u ngrit nga tryeza i zemëruar dhe ditën e dytë të hënës së re nuk hëngri, sepse u pikëllua për Davidin dhe se i ati e kishte përbuzur. Në të gdhirë Jonatani shkoi në fushë për të takuar Davidin. Me të ishte edhe një djalosh i vogël. Ai i tha djaloshit: «Vrap, m'i mblidh shigjetat që po gjuaj!». Djaloshi vrapoi e Jonatani i gjuajti shigjetat përtej tij. Kur djaloshi mbërriti te vendi ku ishin shigjetat, që kishte gjuajtur Jonatani, ai i thirri djaloshit e i tha: «Nuk i ke shigjetat nga ana jote, janë përtej! Nxito, mos u vono!». Djaloshi i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi tek i zoti. Djaloshi nuk kuptoi asgjë. Vetëm Jonatani e Davidi e dinin për çfarë bëhej fjalë. Atëherë Jonatani i dha djaloshit armët e veta e i tha: «Shko e m'i ço në qytet!». Sapo iku djaloshi, Davidi doli nga mbrapa gurit e ra me fytyrë përdhe tri herë. U puthën e zunë të qanin. Davidi qau më shumë. Pastaj Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, se të dy u zotuam në emër të ZOTIT kur thamë: “ZOTI qoftë dëshmitar përherë mes meje e teje, mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu!”».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë