Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 20:30-42

1 i Samuelit 20:30-42 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Sauli u zemërua fort me Jonatanin e i tha: «Bir i bushtrës së pabesë! Pse, nuk e di unë se ke zgjedhur birin e Jeseut? S'të vjen turp as për vete e as për lakuriqësinë e sat ëme! Për sa kohë të jetojë mbi tokë biri i Jeseut, as ti dhe as mbretëria jote nuk do të jenë të sigurta, prandaj shko e ma sill, se ai ka për të vdekur!». Jonatani iu përgjigj Saulit, të atit: «Pse të vdesë? Çfarë ka bërë?». Por Sauli e gjuajti me heshtë. Atëherë Jonatani e kuptoi se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin. Jonatani u ngrit nga tryeza i zemëruar dhe ditën e dytë të hënës së re nuk hëngri, sepse u pikëllua për Davidin dhe se i ati e kishte përbuzur. Në të gdhirë Jonatani shkoi në fushë për të takuar Davidin. Me të ishte edhe një djalosh i vogël. Ai i tha djaloshit: «Vrap, m'i mblidh shigjetat që po gjuaj!». Djaloshi vrapoi e Jonatani i gjuajti shigjetat përtej tij. Kur djaloshi mbërriti te vendi ku ishin shigjetat, që kishte gjuajtur Jonatani, ai i thirri djaloshit e i tha: «Nuk i ke shigjetat nga ana jote, janë përtej! Nxito, mos u vono!». Djaloshi i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi tek i zoti. Djaloshi nuk kuptoi asgjë. Vetëm Jonatani e Davidi e dinin për çfarë bëhej fjalë. Atëherë Jonatani i dha djaloshit armët e veta e i tha: «Shko e m'i ço në qytet!». Sapo iku djaloshi, Davidi doli nga mbrapa gurit e ra me fytyrë përdhe tri herë. U puthën e zunë të qanin. Davidi qau më shumë. Pastaj Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, se të dy u zotuam në emër të ZOTIT kur thamë: “ZOTI qoftë dëshmitar përherë mes meje e teje, mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu!”».

1 i Samuelit 20:30-42 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: "O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate? Sepse derisa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë. Jonathani iu përgjigj Saulit, atit të tij duke i thënë: "Pse duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?". Atëherë Sauli e vërtiti ushtën kundër tij për ta vrarë. Jonathani e kuptoi që vrasja e Davidit ishte diçka e vendosur nga ana e të atit. Kështu Jonathani u ngrit i zemëruar nga tryeza dhe nuk hëngri gjë as ditën e dytë të hënës së re, mbasi ishte i hidhëruar për Davidin, sepse i ati e kishte trajtuar në mënyrë të turpshme. Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh. Ai i tha djaloshit: "Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj". Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij. Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: "Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?". Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: "Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!". Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti. Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja. Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: "Nisu, çoji në qytet". Me t'u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njëri-tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër. Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë