Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 18:8-30

1 Samuelit 18:8-30 AL1

Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se ZOTI ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse ZOTI ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte. Sauli i tha Davidit: «Do të të jap për grua Merabën, vajzën time të madhe. Ti vetëm më shërbe si luftëtar e lufto betejat e ZOTIT». Sauli thoshte: «Të mos vdesë prej dorës sime, por prej dorës së filistinëve». Davidi iu përgjigj: «Kush jam unë apo shtëpia e atit tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?». Por, kur erdhi koha për t'u martuar me Davidin, Merabën, bijën e Saulit, ia dhanë Adriel Meholatitit. Mikala, bija e Saulit, e donte Davidin dhe, kur i treguan Saulit, atij i pëlqeu kjo, se thoshte: «Do t'ia jap për grua, që të bjerë në kurth e të vritet nga dora e filistinëve». Kështu, për të dytën herë Sauli i kërkoi Davidit të bëhej dhëndri i tij. Sauli i urdhëroi shërbëtorët e vet e u tha: «Flisni me Davidin e thuajini në fshehtësi: “I ke pëlqyer mbretit dhe shërbëtorët të duan, pse nuk bëhesh dhëndri i mbretit?”». Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin, por ai u tha: «Përse, punë e lehtë ju duket të jesh dhëndri i mbretit? Unë jam i varfër e i parëndësishëm». Kur shërbëtorët i treguan Saulit çfarë kishte thënë Davidi ai u tha: «Kështu thuajini Davidit: “Mbreti nuk do pajë, por lafshën e njëqind filistinëve të vdekur, që të hakmerret kundër armiqve të tij”». Sauli mendonte si e si të vritej Davidi prej dorës së filistinëve. Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin dhe atij iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. Para se të plotësoheshin ditët, Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi e vrau dyqind filistinë e ia dërgoi mbretit të tëra lafshat që të bëhej dhëndri i tij. Kështu, Sauli i dha për grua bijën e vet, Mikalën. Sauli e pa se ZOTI ishte me Davidin dhe se Mikala, bija e tij, e donte Davidin. Sauli e pati frikë Davidin edhe më shumë e u bë armik i tij përjetë. Sa herë që prijësit e filistinëve dilnin për luftë, Davidit i shkonte mbarë më shumë se tërë shërbëtorëve të Saulit, prandaj dhe bëri emër të madh.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë