Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 18:8-30

1 i Samuelit 18:8-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se ZOTI ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse ZOTI ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte. Sauli i tha Davidit: «Do të të jap për grua Merabën, vajzën time të madhe. Ti vetëm më shërbe si luftëtar e lufto betejat e ZOTIT». Sauli thoshte: «Të mos vdesë prej dorës sime, por prej dorës së filistinëve». Davidi iu përgjigj: «Kush jam unë apo shtëpia e atit tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?». Por, kur erdhi koha për t'u martuar me Davidin, Merabën, bijën e Saulit, ia dhanë Adriel Meholatitit. Mikala, bija e Saulit, e donte Davidin dhe, kur i treguan Saulit, atij i pëlqeu kjo, se thoshte: «Do t'ia jap për grua, që të bjerë në kurth e të vritet nga dora e filistinëve». Kështu, për të dytën herë Sauli i kërkoi Davidit të bëhej dhëndri i tij. Sauli i urdhëroi shërbëtorët e vet e u tha: «Flisni me Davidin e thuajini në fshehtësi: “I ke pëlqyer mbretit dhe shërbëtorët të duan, pse nuk bëhesh dhëndri i mbretit?”». Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin, por ai u tha: «Përse, punë e lehtë ju duket të jesh dhëndri i mbretit? Unë jam i varfër e i parëndësishëm». Kur shërbëtorët i treguan Saulit çfarë kishte thënë Davidi ai u tha: «Kështu thuajini Davidit: “Mbreti nuk do pajë, por lafshën e njëqind filistinëve të vdekur, që të hakmerret kundër armiqve të tij”». Sauli mendonte si e si të vritej Davidi prej dorës së filistinëve. Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin dhe atij iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. Para se të plotësoheshin ditët, Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi e vrau dyqind filistinë e ia dërgoi mbretit të tëra lafshat që të bëhej dhëndri i tij. Kështu, Sauli i dha për grua bijën e vet, Mikalën. Sauli e pa se ZOTI ishte me Davidin dhe se Mikala, bija e tij, e donte Davidin. Sauli e pati frikë Davidin edhe më shumë e u bë armik i tij përjetë. Sa herë që prijësit e filistinëve dilnin për luftë, Davidit i shkonte mbarë më shumë se tërë shërbëtorëve të Saulit, prandaj dhe bëri emër të madh.

1 i Samuelit 18:8-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!". Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin. Të nesërmen një frymë e keqe nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë. Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij; por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre. Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe marrsh pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e filistenjve". Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?". Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel. Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu. Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e filistenjve". Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti është i kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit". Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjigj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët". Shërbëtorët i njoftuan Saulit: "Davidi u përgjigj në këtë mënyrë". Atëherë Sauli tha: "Do t'i thoni kështu Davidit: "Mbreti nuk dëshiron asnjë prikë, por njëqind lafsha të filistenjve për t'u hakmarrë me armiqtë e mbretit"". Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të filistenjve. Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma, kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga filistenjtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t'u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua. Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte. Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi. Pastaj princat e filistenjve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë