Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 18:1-16

1 Samuelit 18:1-16 AL1

Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin. Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. Dhe kënduan: «Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra!». Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se ZOTI ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse ZOTI ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë