Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 18:1-16

1 i Samuelit 18:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin. Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. Dhe kënduan: «Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra!». Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se ZOTI ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse ZOTI ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte.

1 i Samuelit 18:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet. Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij. Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet. Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij. Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore. Kështu gratë u përgjigjeshin njëra-tjetrës duke kënduar, dhe thoshin: "Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij. Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!". Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin. Të nesërmen një frymë e keqe nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë. Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij; por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë