Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 16

16
Vajosja e Davidit
1 Zoti i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». 2Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». Zoti i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli Zotit. 3Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». 4Samueli bëri siç i tha Zoti dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». 5Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë.
6Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para Zotit qëndron vërtet i vajosuri i tij». 7Por Zoti i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa Zoti sheh zemrën». 8Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti». 9Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti». 10Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti». 11Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». 12Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. Zoti tha: «Çohu e vajose. Ky është». 13Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i Zotit vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah.
Davidi në shërbim të Saulit
14Shpirti i Zotit u largua nga Sauli dhe filloi ta mundonte një shpirt i lig dërguar prej Zotit. 15Atëherë një shërbëtor i tha: «Ja, një shpirt i lig i Perëndisë po të mundon. 16T'i urdhërojë zotëria ynë shërbëtorët e tij të gjejnë dikë që di t'i bjerë lirës. Sa herë të të pushtojë shpirti i lig i Perëndisë, ai do t'i bjerë lirës e ti do të ndihesh më mirë». 17Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve: «Më gjeni dikë që i bie mirë lirës dhe silleni tek unë». 18Një nga shërbëtorët u përgjigj: «Ja, kam vënë re se biri i Jeseut, betlehemasit, di t'i bjerë lirës. Ai është fisnik, trim, njeri i fjalës e i pashëm. Zoti është me të». 19Sauli dërgoi lajmëtarë te Jeseu për t'i thënë: «Nise tek unë Davidin, birin tënd, që kullot dhentë». 20Jeseu mori një gomar, e ngarkoi me bukë, me një kacek vere e me një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të vet. 21Davidi mbërriti te Sauli e u vu në shërbim të tij. Sauli e deshi shumë dhe e bëri armëmbajtësin e vet. 22Sauli dërgoi njerëz te Jeseu për t'i thënë: «Lëre Davidin në shërbimin tim, sepse jam i kënaqur me të». 23Sa herë që shpirti i lig i Perëndisë e pushtonte Saulin, Davidi merrte lirën dhe i binte. Sauli qetësohej, ndihej më mirë e shpirti i lig largohej prej tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr