Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 16:1-13

1 Samuelit 16:1-13 AL1

ZOTI i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». ZOTI i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli ZOTIT. Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». Samueli bëri siç i tha ZOTI dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli ZOTIT. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para ZOTIT qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por ZOTI i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa ZOTI sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. ZOTI tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i ZOTIT vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë