Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 16:1-13

1 i Samuelit 16:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». ZOTI i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli ZOTIT. Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». Samueli bëri siç i tha ZOTI dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli ZOTIT. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para ZOTIT qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por ZOTI i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa ZOTI sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. ZOTI tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i ZOTIT vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah.

1 i Samuelit 16:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij". Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marrësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: "Kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit". Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë". Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?". Ai u përgjigj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij". Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën". Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre". Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu". Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është". Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.