Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 14

14
Jonatani mund filistinët
1Një ditë, Jonatani, biri i Saulit, i tha armëmbajtësit të vet: «Eja të shkojmë te fushimi filistin në anën tjetër». Ai nuk i tregoi të atit. 2Sauli qëndronte në rrethinat e Gibeahut, nën pemën e shegës në Migron. Me të ishin gjashtë mijë veta. 3Edhe Ahijahu, biri i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, të birit të Eliut, priftit të Zotit në Shiloh, ishte atje veshur me efod. Ushtria nuk e dinte se Jonatani kishte ikur. 4Vendkalimi për te fushimi filistin, ku mendonte të kalonte Jonatani, kishte nga një shkëmb të thepisur në të dyja anët. Njëri shkëmb quhej Bocec e tjetri Seneh. 5Njëri ngrihej në veri, kundruall Mikmasit, tjetri në jug, kundruall Gebës.
6Jonatani i tha armëmbajtësit: «Eja të shkojmë te fushimi i këtyre të parrethprerëve. Ndoshta Zoti do të na përkrahë, sepse për Zotin fitorja nuk është e pamundur, në jemi shumë a pak». 7Armëmbajtësi i tha: «Bëj siç ke ndër mend. Nisu, pra, se më ke në krah për çdo gjë që ke ndër mend të bësh». 8Jonatani i tha: «Eja të shkojmë e t'u dalim para. 9Nëse na thonë: “Ndaluni, se erdhëm”, do të ndalemi në vend e nuk do të ngjitemi te ta. 10Nëse na thonë: “Ngjituni”, do të shkojmë, se kjo do të jetë shenja përmes së cilës do ta dimë se Zoti na i ka dorëzuar». 11Ata të dy i dolën para fushimit të filistinëve. Filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku janë futur». 12Burrat e fushimit i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit: «Ngjituni, se kemi diçka për t'ju treguar». Atëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, se Zoti i dorëzoi në duart e Izraelit». 13Jonatani u ngjit këmbadoras dhe armëmbajtësi e ndiqte pas. Filistinët binin para Jonatanit dhe pas tij i vriste armëmbajtësi. 14Në sulmin e parë, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë njëzet burra brenda një are të vogël. 15Atëherë u tmerrua fushimi nëpër ara e mbarë populli. U tmerruan çeta dhe luftëtarët. Toka u trand. Tmerr Perëndie!
16Vrojtuesit e Saulit në Gibeah të Benjaminit panë se turma po shpërndahej sa andej-këtej. 17Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: «Rreshtohuni e shihni a ka ikur ndonjëri prej nesh». Ata u rreshtuan dhe vunë re se mungonte Jonatani e armëmbajtësi i tij. 18Pastaj Sauli i tha Ahijahut: «Sille arkën e Perëndisë!». Se arka e Perëndisë ishte ato ditë me izraelitët#14.18 të tjerë: Merre efodin, se ai e mbante efodin ato ditë në prani të izraelitëve. 19Ndërsa Sauli fliste me priftin, trazira në fushimin e filistinëve bëhej gjithnjë e më e madhe, prandaj dhe Sauli i tha priftit: «Ndale dorën!». 20Sauli mblodhi tërë popullin që ishte me të e doli në luftë. U bë një pështjellim i madh. Filistinët po vrisnin njëri-tjetrin me shpatë. 21Hebrenjtë që ishin bashkuar më parë me filistinët dhe ishin në fushim me ta, dolën kundra e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e Jonatanin. 22Kur e morën vesh tërë izraelitët që ishin fshehur në malësinë e Efraimit se filistinët po ua mbathnin, dolën edhe ata në luftë e i ndoqën pas. 23Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin. Beteja u shtri deri në Bet Aven.
Betimi i Saulit
24Izraelitët ishin të rraskapitur atë ditë, se Sauli i kishte vënë në be kur kishte thënë: «Mallkuar qoftë kushdo që ha para se të ngryset, para se unë të hakmerrem kundër armiqve të mi». Kështu, populli nuk futi gjë në gojë. 25Atëherë tërë populli hyri në një pyll ku mjalti pikonte përtokë. 26Por, kur hynë në pyll, edhe pse e shihnin mjaltin që pikonte, askush nuk guxonte të zgjaste dorën e të hante, se i trembeshin betimit. 27Jonatani nuk e kishte dëgjuar betimin e të atit para popullit, prandaj zgjati shkopin, e ngjeu majën në hojet e mjaltit dhe e futi në gojë. Sytë i ndritën. 28Atëherë dikush nga populli i tha: «Yt atë e vuri në be popullin e i tha: “Mallkuar qoftë kush ha sot”, prandaj dhe populli është kapitur». 29Jonatani i tha: «Im atë po e mundon vendin. Shih si më ndritën sytë kur hëngra vetëm pak nga ky mjaltë! 30Sikur populli të kishte ngrënë sot nga preja që u kapi armiqve, humbja e filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe».
31Atë ditë u ranë filistinëve nga Mikmasi deri në Ajalon. Populli u këput nga lodhja. 32Atëherë iu lëshuan presë që kishin kapur me dhen, lopë e viça. I therën përtokë dhe i hëngrën me gjithë gjak. 33Saulin e lajmëruan e i thanë: «Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë gjak». Sauli u përgjigj: «Ah, të pabesë! Rrokullisni një gur të madh e silleni këtu. 34Shkoni nëpër popull e u thoni ta sjellin kaun a dashin tek unë. Ta therin këtu e pastaj ta hanë, që të mos mëkatojnë kundër Zotit duke e ngrënë me gjak». Atë natë secili solli kaun e vet dhe e theri atje. 35Kështu, Sauli i ndërtoi Zotit një altar. Ai ishte altari i parë që ndërtoi për Zotin.
Populli shpëton Jonatanin
36Pastaj Sauli tha: «T'i sulmojmë filistinët natën, t'i plaçkisim deri në agim e të mos lëmë njeri gjallë». Ata u përgjigjën: «Vepro si të të duket më mirë». Por prifti tha: «Le të kërkojmë këshillë prej Perëndisë». 37Atëherë Sauli e pyeti Perëndinë: «A t'i ndjek filistinët? A do t'ia dorëzosh Izraelit?». Por nuk mori përgjigje atë ditë. 38Atëherë Sauli urdhëroi: «Të dalin tërë prijësit e popullit që të shqyrtojmë e të gjejmë kush mëkatoi sot. 39Pasha Zotin, shpëtimtarin e Izraelit, edhe në qoftë Jonatani, biri im, do të dënohet me vdekje». Por askush prej popullit nuk u përgjigj. 40Pastaj ai u tha tërë izraelitëve: «Ju rrini në një anë, ndërsa unë e Jonatani, biri im, do të rrimë në anën tjetër». Populli iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë». 41Sauli i tha Zotit, Perëndisë së Izraelit: «Tregoje përmes Tumimit». Shorti i ra Jonatanit dhe Saulit, ndërsa populli doli i lirë. 42Sauli tha: «Hidheni shortin mes meje e Jonatanit, birit tim». Dhe shorti i ra Jonatanit.
43Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më thuaj çfarë bëre». Jonatani iu përgjigj: «Hëngra pak mjaltë me majën e shkopit dhe ja, do të vdes!». 44Sauli tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, se ti, o Jonatan, ke për të vdekur». 45Por populli tha: «Si të vdesë Jonatani? Ai ia solli këtë fitore të madhe Izraelit. Larg qoftë! Pasha Zotin, asnjë fije floku s'ka për t'i rënë përtokë, se Jonatani veproi bashkë me Perëndinë sot». Kështu, populli e shpëtoi Jonatanin dhe ai nuk vdiq. 46Pastaj Sauli u tërhoq nga ndjekja e filistinëve e ata u kthyen në vendin e vet.
Mbretërimi i Saulit
47Sauli arriti ta sundonte Izraelin dhe luftoi kundër gjithë armiqve përreth, Moabit, amonitëve, Edomit, mbretërve të Cobahut dhe filistinëve. Ngado që mësynte, fitonte. 48Ai luftoi si trimat dhe goditi Amalekun. Ai e shpëtoi Izraelin nga dora e kujtdo që e plaçkiste.
49Bijtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu e Malkishuai. Emrat e dy bijave ishin Meraba, vajza e madhe, e Mikala, vajza e vogël. 50Gruaja e Saulit quhej Ahinoama, bija e Ahimacit. Kreu i ushtrisë së tij ishte Abneri, biri i Nerit, ungjit të Saulit. 51Kishi, ati i Saulit e Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.
52Gjatë gjithë jetës së Saulit pati luftë të ashpër kundër filistinëve. Këdo që shihte si burrë trim e të fortë, Sauli e merrte nën shërbimin e vet.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë