Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 12

12
Fjalimi i Samuelit
1Samueli i tha mbarë Izraelit: «Jua dëgjova fjalën për gjithçka më thatë e ju vura një mbret. 2Tani ka për t'ju prirë mbreti. Unë u plaka, u thinja e bijtë e mi janë me ju. Ju kam prirë që në rini e deri tani. 3Ja ku më keni. Nëse i kam marrë ndokujt kaun apo gomarin, nëse kam shfrytëzuar apo keqtrajtuar ndokënd, nëse i kam marrë mitë dikujt për të mbyllur një sy, ata le të dëshmojnë kundër meje në prani të Zotit e të vajosurit të tij dhe unë do t'ua kthej». 4Ata u përgjigjën: «Nuk na ke shfrytëzuar apo keqtrajtuar, as nuk ke marrë send prej dorës së ndokujt». 5Ai u tha: «Sot, pra, Zoti dhe i vajosuri i tij janë dëshmitarë që ju nuk keni gjetur asnjë faj në mua». Ata u përgjigjën: «Ai është dëshmitar!».
6Samueli i tha popullit: «Është Zoti, ai që caktoi Moisiun e Aronin dhe që i nxori etërit tuaj prej tokës së Egjiptit. 7Tani, pra, zini vend e unë do të bëj gjyq me ju para Zotit për të gjitha veprat e drejta që Zoti bëri për ju e për etërit tuaj. 8Pasi Jakobi mbërriti në Egjipt, etërit tuaj i thirrën Zotit. Ai dërgoi Moisiun e Aronin dhe ata i nxorën etërit tuaj prej Egjiptit e i vunë të banonin në këtë vend. 9Por populli e harroi Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i dorëzoi te Siseri, prijësi i ushtrisë së Hacorit, te filistinët e te mbreti i Moabit, që luftuan kundër tyre. 10Atëherë i thirrën Zotit e thanë: “Mëkatuam, se e braktisëm Zotin dhe u shërbyem Baalëve e Ashtarotës. Na shpëto, tani, prej dorës së armiqve dhe ne do të të shërbejmë ty”. 11Atëherë Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin#12.11 të tjerë: Barakun, Jeftahun dhe Samuelin. Ai ju shpëtoi prej duarve të armiqve përreth e ju jetuat të qetë. 12Kur patë që erdhi kundër jush Nahashi, mbreti i amonitëve, më thatë: “Jo, duam një mbret mbi ne”, edhe pse Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj. 13Ja, ku e keni mbretin që zgjodhët, mbretin që kërkuat. Ja, Zoti jua dha mbretin. 14Nëse e druani Zotin, nëse i shërbeni atij, nëse ia dëgjoni zërin e nuk ngrini krye kundër fjalës së Zotit, por e ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, do të keni mbarësi ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju. 15Nëse nuk e dëgjoni zërin e Zotit dhe ngrini krye kundër fjalës së Zotit, dora e Zotit do të shtrihet kundër jush e mbretit#12.15 ose: etërve tuaj. 16E tani, zini vend, që të shihni këtë gjë madhështore që Zoti do të bëjë para syve tuaj. 17A nuk korret gruri sot? Do ta thërras Zotin që të çojë bubullima e shi dhe do ta kuptoni e do ta shihni sa e madhe është prapësia juaj në sytë e Zotit, që kërkuat mbret për vete». 18Atëherë Samueli i thirri Zotit e Zoti dërgoi bubullima e shi po atë ditë. Gjithë populli u frikësua shumë prej Zotit e Samuelit 19e i tha Samuelit: «Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu që të mos vdesim, se tërë mëkateve tona u shtuam edhe këtë ligësi duke kërkuar mbret për vete». 20Por Samueli i tha popullit: «Mos kini frikë. Ju e bëtë gjithë këtë ligësi, por mos u largoni prej Zotit. Shërbejini Zotit me gjithë zemër. 21Mos u tërhiqni pas kotësive, që nuk ju ndihmojnë e nuk ju shpëtojnë dot, se nuk janë asgjë. 22Zoti nuk ka për ta braktisur popullin e tij për shkak të emrit të tij të madhërishëm. Zoti vendosi t'ju bënte ju popullin e vet. 23Edhe për mua, qoftë larg të mëkatoj kundër Zotit, e të mos lutem më për ju. Do t'ju mësoj udhën e mbarë e të drejtë. 24Veç, druani Zotin, shërbejini atij me gjithë zemër e besnikërisht dhe shqyrtoni veprat madhështore që bëri për ju. 25Por, nëse vazhdoni të bëni ligësi, do të zhdukeni ju dhe mbreti».

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë