Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 10:1-16

1 Samuelit 10:1-16 AL1

Samueli mori enën me vaj dhe e zbrazi mbi kryet e Saulit, pastaj e puthi e i tha: «ZOTI të vajosi si prijës për trashëgiminë e tij. Kur të largohesh sot prej meje, do të takosh dy njerëz pranë varrit të Rakelës, në tokën e Benjaminit, në Celcah. Ata do të të thonë se i kanë gjetur gomaricat që po kërkoje dhe se yt atë në vend që të shqetësohet për gomaricat shqetësohet për ju e thotë: “Çfarë të bëj për tim bir?”. Pastaj, kur të kalosh përtej e të mbërrish te lisi i Taborit, do të takosh tre njerëz që po shkojnë për të kërkuar Perëndinë në Betel. Njëri prej tyre do jetë duke mbajtur tre keca, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i fundit një kacek me verë. Do të të përshëndesin e pastaj do të të japin dy bukë të rrumbullakëta, të cilat do t'i marrësh. Më pas do të mbërrish në Gibeah Elohim, ku gjenden çetat e filistinëve. Kur të hysh në qytet, do të takosh një turmë profetësh, që po profetizon teksa zbresin prej faltoreve në vende të larta, duke i rënë lirës, dajres e qestes. Shpirti i ZOTIT do të vërshojë mbi ty e ti do të fillosh të profetizosh bashkë me ta. Do të shndërrohesh në një njeri tjetër. Kur të shohësh se janë përmbushur këto shenja, vepro sapo të mundesh, se Perëndia është me ty. Pastaj shko para meje në Gilgal. Unë do të vij më pas për të kushtuar fli shkrumbimi e fli paqtimi. Më prit për shtatë ditë që të të tregoj çfarë të bësh». Sapo Sauli i ktheu shpinën Samuelit për t'u larguar, Perëndia ia tjetërsoi zemrën e të gjitha shenjat u plotësuan po atë ditë. Ai mbërriti në Gibeah, ku e takoi një turmë profetësh. Shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të e ai filloi të profetizonte mes tyre. Kur ata që e njihnin më parë e panë se po profetizonte bashkë me profetët, filluan t'i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'po i ndodh birit të Kishit? Edhe Sauli qenka profet?». Një nga vendasit u përgjigj: «Pse jo, bijtë e kujt qenkan këta të tjerët?». Kështu lindi thënia: «Pse, edhe Sauli qenka profet?». Pasi përfundoi së profetizuari, Sauli shkoi në faltoret në vende të larta. Ungji i Saulit i tha Saulit dhe shërbëtorit të tij: «Ku keni qenë?». Ai iu përgjigj: «Shkuam për të kërkuar gomaricat dhe, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli». Ungji i tha: «Më trego çfarë ju tha Samueli?». Sauli iu përgjigj: «Na tregoi se gomaricat ishin gjetur», por nuk i tregoi çfarë i kishte thënë Samueli për mbretërinë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë