Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 10:1-16

1 i Samuelit 10:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Samueli mori enën me vaj dhe e zbrazi mbi kryet e Saulit, pastaj e puthi e i tha: «ZOTI të vajosi si prijës për trashëgiminë e tij. Kur të largohesh sot prej meje, do të takosh dy njerëz pranë varrit të Rakelës, në tokën e Benjaminit, në Celcah. Ata do të të thonë se i kanë gjetur gomaricat që po kërkoje dhe se yt atë në vend që të shqetësohet për gomaricat shqetësohet për ju e thotë: “Çfarë të bëj për tim bir?”. Pastaj, kur të kalosh përtej e të mbërrish te lisi i Taborit, do të takosh tre njerëz që po shkojnë për të kërkuar Perëndinë në Betel. Njëri prej tyre do jetë duke mbajtur tre keca, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i fundit një kacek me verë. Do të të përshëndesin e pastaj do të të japin dy bukë të rrumbullakëta, të cilat do t'i marrësh. Më pas do të mbërrish në Gibeah Elohim, ku gjenden çetat e filistinëve. Kur të hysh në qytet, do të takosh një turmë profetësh, që po profetizon teksa zbresin prej faltoreve në vende të larta, duke i rënë lirës, dajres e qestes. Shpirti i ZOTIT do të vërshojë mbi ty e ti do të fillosh të profetizosh bashkë me ta. Do të shndërrohesh në një njeri tjetër. Kur të shohësh se janë përmbushur këto shenja, vepro sapo të mundesh, se Perëndia është me ty. Pastaj shko para meje në Gilgal. Unë do të vij më pas për të kushtuar fli shkrumbimi e fli paqtimi. Më prit për shtatë ditë që të të tregoj çfarë të bësh». Sapo Sauli i ktheu shpinën Samuelit për t'u larguar, Perëndia ia tjetërsoi zemrën e të gjitha shenjat u plotësuan po atë ditë. Ai mbërriti në Gibeah, ku e takoi një turmë profetësh. Shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të e ai filloi të profetizonte mes tyre. Kur ata që e njihnin më parë e panë se po profetizonte bashkë me profetët, filluan t'i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'po i ndodh birit të Kishit? Edhe Sauli qenka profet?». Një nga vendasit u përgjigj: «Pse jo, bijtë e kujt qenkan këta të tjerët?». Kështu lindi thënia: «Pse, edhe Sauli qenka profet?». Pasi përfundoi së profetizuari, Sauli shkoi në faltoret në vende të larta. Ungji i Saulit i tha Saulit dhe shërbëtorit të tij: «Ku keni qenë?». Ai iu përgjigj: «Shkuam për të kërkuar gomaricat dhe, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli». Ungji i tha: «Më trego çfarë ju tha Samueli?». Sauli iu përgjigj: «Na tregoi se gomaricat ishin gjetur», por nuk i tregoi çfarë i kishte thënë Samueli për mbretërinë.

1 i Samuelit 10:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: "A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij? Sot, kur të ikësh nga unë, do të gjesh dy njerëz pranë varrit të Rakelës në kufirin e Beniaminit, në Tseltsah. Ata do të thonë: Gomaret që shkove të kërkosh u gjetën; tani yt atë nuk shqetësohet për gomaret, por për ju, dhe thotë: "Çfarë duhet të bëj për birin tim?". Pastaj ti do ta kalosh atë vend dhe do të arrish në lisin e Taborit; aty do të takosh tre njerëz që shkojnë për të adhuruar Perëndinë në Bethel: njëri do të mbajë tre keca, tjetri tri bukë dhe i treti një calik me verë. Ata do të të përshëndetin dhe do të të japin dy bukë, që do t'i marrësh nga duart e tyre. Pastaj ti do të arrish në kodrinën e Perëndisë, ku gjendet garnizoni i filistenjve; dhe këtu, duke arritur në qytet, do të takosh një grup profetësh që do të zbresin nga vendi i lartë, të paraprirë nga një harpë, një dajre, një fyell dhe një qeste, dhe që do të bëjnë profeci. Atëherë Fryma e Zotit do të të ngarkojë të bësh profeci me ta, dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër. Kur këto shenja do të realizohen, bëj atë që rasti kërkon, sepse Perëndia është me ty. Pastaj ti do të zbresësh para meje në Gilgal: dhe ja, unë do të zbres te ti për të ofruar holokauste dhe për të kryer flijime falënderimi. Ti do të presësh shtatë ditë derisa unë të vij te ti dhe të të them çfarë duhet të bësh". Sapo ktheu kurrizin për të lënë Samuelin, Perëndia ia ndërroi zemrën në një tjetër, dhe tërë ato shenja u realizuan po atë ditë. Sapo arritën atje në kodër, një grup profetësh i doli përpara; atëherë ai u ngarkua nga Fryma e Perëndisë dhe filloi të bëjë profeci në mes tyre. Atëherë tërë ata që e kishin njohur më parë, duke parë që profetizonte bashkë me profetët, i thoshin njëri-tjetrit: "Çfarë i ka ndodhur birit të Kishit? Është edhe Sauli midis profetëve?". Pastaj një vendas u përgjigj, duke thënë: "Po kush është ati i tyre?". Për këtë arsye u bë proverb thënia: "Është edhe Sauli midis profetëve?". Me të mbaruar profecitë, Sauli u drejtua në vendin e lartë. Pastaj ungji i Saulit e pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: "Ku keni vajtur?". Ai u përgjigj: "Të kërkojmë gomaret, por, duke parë se nuk ishin, shkuam te Samueli". Ungji i Saulit shtoi: "Më trego, të lutem, çfarë ju tha Samueli". Kështu iu përgjigj Sauli ungjit të tij: "Ai na siguroi që gomaret i kishin gjetur". Por nuk tha asgjë lidhur me atë që Samueli kishte thënë për mbretërinë.