Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 21:1-16

1 Mbretërve 21:1-16 AL1

Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë. Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen». Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë ZOTI të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!». Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t'ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë. Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?». Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t'ia blerë me para, ose t'ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin». Izebela, e shoqja, i tha: «Ç'bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë». Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti. Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t'i prijë popullit. I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë». Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo. Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit. Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë. Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur. Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq». Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë