Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 21:1-16

1 i Mbretërve 21:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë. Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen». Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë ZOTI të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!». Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t'ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë. Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?». Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t'ia blerë me para, ose t'ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin». Izebela, e shoqja, i tha: «Ç'bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë». Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti. Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t'i prijë popullit. I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë». Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo. Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit. Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë. Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur. Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq». Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi.

1 i Mbretërve 21:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Nabothi i Jezreelit kishte një vresht në Jezreel, afër pallatit të Ashabit, mbretit të Samarisë. Kështu Ashabi i foli Nabothit dhe i tha: "Më jep vreshtin që ta bëj kopsht perimesh, sepse ndodhet afër shtëpisë sime. Në këmbim do të jap një vresht më të mirë ose, po të të pëlqejë më tepër, barasvlerën në të holla". Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!". Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante. Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?". Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m'u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"". Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë". Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin. Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit; i vini përballë dy njerëzve të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë". Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t'u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar. Shpallën agjërimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit. Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq. Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq". Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur". Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë