Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel. Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse ZOTI është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë. Elia i tha popullit: «Nga profetët e ZOTIT kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë. Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë. Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t'i thërras emrit të ZOTIT. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë». Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar. Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t'u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni». Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak. Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh.
Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e ZOTIT që ishte rrënuar. Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit ZOTI i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael». Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të ZOTIT dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra. Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë. Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot.
Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O ZOT, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o ZOT, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o ZOT, je Perëndia dhe se ti do t'ua kthesh sërish zemrën drejt teje». Atëherë ra zjarri i ZOTIT dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit. Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: «ZOTI është Perëndia! ZOTI është Perëndia!». Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë.