Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 18:20-40

1 i Mbretërve 18:20-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel. Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse ZOTI është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë. Elia i tha popullit: «Nga profetët e ZOTIT kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë. Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë. Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t'i thërras emrit të ZOTIT. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë». Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar. Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t'u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni». Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak. Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh. Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e ZOTIT që ishte rrënuar. Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit ZOTI i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael». Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të ZOTIT dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra. Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë. Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot. Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O ZOT, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o ZOT, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o ZOT, je Perëndia dhe se ti do t'ua kthesh sërish zemrën drejt teje». Atëherë ra zjarri i ZOTIT dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit. Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: «ZOTI është Perëndia! ZOTI është Perëndia!». Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë.

1 i Mbretërve 18:20-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel. Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë. Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë. Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato. Ju do t'i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!". Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin". Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar. Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar". Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, derisa të kullonin gjak. Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin. Atëherë Elia i tha tërë popullit: "Afrohuni pranë meje!". Kështu tërë populli iu afrua dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur. Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael". Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri. Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: "Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi holokaustin dhe mbi drutë". Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë. Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën. Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre". Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi holokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë. Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: "Zoti është Perëndia!. Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t'ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.