Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 12:1-15

1 Mbretërve 12:1-15 AL1

Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua. Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit?». Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”». Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur ZOTI, që të shkonte në vend fjala që ZOTI i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë